Bashkësitë Islame në Prishtinë dhe Shkup grumbullojnë mjete financiare për Shqipërinë

Në të gjitha xhamitë e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Maqedonisë temë e ligjëratës së ditës së premte ka qenë solidariteti dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit në raste vështirësish dhe fatkeqësish

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut sot kanë organizuar aksion për grumbullimin e mjeteve financiare për ndihmë të të prekurve nga tërmeti në Shqipëri, në të gjitha xhamitë e bashkësive islame, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryesia e BIK-ut u ka bërë thirrje nëpërmjet një ligjërate të njëjtë e cila është lexuar në hytben e namazit të xhumasë në xhamitë e saj për solidarizim me shqiptarët.

Një numër i madh i besimtarëve muslimanë kësaj thirrjeje i janë përgjigjur edhe në Xhaminë e Madhe (Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II), duke ndihmuar me të holla.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani i cili mbajti ligjëratën, theksoi se ndihma për vëllezërit dhe motrat kur ata kanë nevojë është dhe porosi hyjnore dhe profetike në Islam.

“Në këto momente të vështira i lutemi Zotit që t’i mëshirojë viktimat e këtij tërmeti, t’ju jap durim të afërmve të tyre dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për të gjithë ata që u lënduan në këtë tërmet. Sot vëllezër të dashur, teksa i lutemi Allahut t’i mëshirojë viktimat e tërmetit teksa ngushëllojmë vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri, familjarët, popullin islam dhe njerëzimin mbarë na del në detyrë në formë reflektimi të kthehemi nga dera e besimit dhe feja e tij”, tha Sopjani.

Sopjani duke bërë thirrje për solidarizim me shqiptarët nevojtarë, kujtoi thënien e profetit të fundit në Islam, Muhamedit, i cili është transmetuar të ketë thënë “më i miri nga ju është ai që u ndihmon të tjerëve”.

Rami Micaj nga Prizreni i cili mori pjesë në ligjëratë tha se iniciativa e BIK-ut është e qëlluar.

“Ju lumtë dhe më vjen mirë shumë që Bashkësia Islame në të gjithë Kosovën, ka kontribuuar në këtë ndihmë”, tha Micaj.

Gjithashtu një pensionist nga Prishtina i cili ka kontribuuar në arkën e ndihmës, ka thënë se ka zgjedhur pikërisht Bashkësinë Islame për shkak të besimit që ka në këtë institucion.

“E lusim Zotin që të mos keqpërdoren (ndihmat), le të shkojnë në vendin e duhur, për ata të cilët kanë nevojë më të madhe”, tha ai.

Paratë e grumbulluara nga të gjitha xhamitë e Kosovës gjatë ditës, do të barten në xhirollogarinë e Bashkësisë Islame të Shqipërisë nëpërmjet bankave dhe më pas do të shpërndahen në bazë të nevojave atje.

Mjete financiare grumbullohet edhe në xhamitë e Maqedonisë së Veriut

Përpos Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë aksion për të grumbulluar mjete financiare për të sanuar dëmet e tërmetit që më 26 nëntor goditi Shqipërinë.

Shefi i kabinetit të kreut të BFI-së, Muzemil Osmani, në një bisedë telefonike për AA konfirmon se pas faljes së namazit të xhumasë, në të gjitha xhamitë e Maqedonisë së Veriut janë grumbulluar mjete financiare.

Ai thekson se në ditën e tërmetit, nga organizata humanitare “Hilal”, e cila vepron në kuadër të BFI-së, janë dërguar ndihma në Durrës, përfshirë produkte ushqimore, batanije, mjete higjienike dhe veshmbathje për popullatën e prekur.