Austria përkrah Serbinë për në BE, por kërkon zgjidhje paqësore me Kosovën

"Unioni duhet të këmbëngulë që të sqarohen çështjet e hapura bilaterale dhe çështjet e kufirit", deklaroi në Beograd presidenti i Austrisë, Aleksander Van der Bellen

Austria mbështet rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE), megjithatë Unioni duhet të këmbëngul që çështjet e hapura dypalëshe, konkretisht çështja e Kosovës të zgjidhet përmes arritjes së një zgjidhje paqësore dhe të pranueshme, deklaroi sot në Beograd, presidenti i Austrisë, Aleksander Van der Bellen, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unioni duhet të këmbëngulë që të sqarohen çështjet e hapura bilaterale dhe çështjet e kufirit. Ju lutemi mos e interpretoni sikur BE ka rezerva ndaj Kosovës, sepse BE-ja tashmë ka pasur probleme të tilla”, tha Van der Bellen, në një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Siç tha ai, në Union ekziston një mendim i përgjithshëm se këto çështje duhet të tejkalohen, për të shtuar se beson se Vuçiç është duke punuar shumë drejt zgjidhjes së çështjes.

“Nëse ka një zgjidhje të dakorduar midis dy palëve, atëherë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, dhe të gjithë pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë do ta shqyrtonin këtë zgjidhje paqësore dhe të dakorduar”, shtoi presidenti austriak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “nëse sillet një vendim për pranimin e Kosovës në Interpol, atëherë shqiptarët nuk do të duan më të bisedojnë, nuk do të dëshironin një zgjidhje kompromisi”.

Ai komentoi edhe paralajmërimet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se nuk ka një dokument ndërkombëtar i cili e lejon këtë.

“Kjo do të çonte Serbinë në një pozitë shumë të vështirë, në të cilën nuk do të kishim zgjidhje, nuk do të kishim të drejtën e zgjedhjes, pa mundur të bëjmë diçka, përveçse të mbrojmë popullin tonë”, tha presidenti serb.