Artisti i qytetit të skulptorëve; Krijimet e tij, pothuajse reale

Ishte vetëm 5 vjeç, kur u largua nga Përmeti, por i brumosur mjaftueshëm nga qyteti i skulptorëve aq sa ta kishte të qartë që e ardhmja e tij do te rrethohej vetëm nga arti i gdhendjes.

Ishte vetëm 5 vjeç, kur u largua nga Përmeti, por i brumosur mjaftueshëm nga qyteti i skulptorëve aq sa ta kishte të qartë që e ardhmja e tij do te rrethohej vetëm nga arti i gdhendjes.

“Unë deri në moshën 5 vjeçare jam rritur në Përmet, ne fshat, pastaj familja ime është transferuar këtu në Tiranë. Shume piktorë shqiptare janë nga Përmeti, si duket i nxjerr vendi”, thotë Mariglest Memajdini,raporton Top Channel.

Për atë, të studionte arte ishte një dëshirë, të cilën e realizoi duke u diplomuar në degën e skulpturës, ndërsa të bënte vite më vonë vepra arti të tilla, ishte një ëndërr. Por sot ai punon pa u lodhur ne studion e tij, aty ku i jep artit jetë duke kthyer imazhe të ndryshme në objekte gati të vërteta.

“Kjo si dëshirë për t’u marrë me butafori kryesisht ka lindur në bazë të eksperiencave të ndryshme që kam patur në punë të ndryshme edhe në bazë të preferencave që njerëzit kanë sot. Po të shohësh eventet si dasma, njerëzit kërkojnë gjera më të thjeshtëzuara, nuk kërkojnë një skulpturë të mirëfilltë”, shprehet ai.

Hapi i parë i punës është ideimi, për të kaluar tek skica që qartëson idenë. Pastaj është radha e materialit të polisterolit që të gdhendet; e në fund ngjyrosja. Për ta bërë këtë, të duhet patjetër eksperienca e gdhendjes, procesi më i vështirë në ditën e tij të punës.

“Sigurisht është procesi i gdhendjes, nëse nuk ke talent apo nuk ke përfunduar një shkollë për skulpture është pak e vështirë që ta kalosh këtë proces”, thotë ai.

Ajo që e gëzon më shumë Mariglestin është fakti se punët e tij mund t’i shijojë kushdo, pasi janë publike dhe e lejojnë artin e tij të shkojë tek njerëzit.

“Diference sigurisht që ka, ka shumë, skulptura është më e thellë, është art me plot kuptimin e fjalës, por të dyja kanë të bukurën e vet. Kjo është e bukura e këtij arti: nëse nuk është publik, nuk mund ta shijojnë dot të gjithë”, shton ai.

Krahas skulpturës, Mariglesti pëlqen edhe të pikturojë e të luajë me ngjyrat në kuadrot e tij, një proces që e çlodh dhe i jep një tjetër kënaqësi.