Arrestohet organizatori i sulmeve ndaj KFOR në Veri, plagosen 3 policë

Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviç-Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ministri në Facebook.

Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.