Arrestohet një shtetas grek me detyrë punonjës policie

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë në një njoftim ka konfirmuar se shtetasit grek i është sekuestruar një armë zjarri

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një shtetas grek me detyrë punonjës policie, për armëmbajtje pa leje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë në një njoftim ka konfirmuar se shtetasit grek i është sekuestruar një armë zjarri pistoletë me disa fishekë.

“Nga Komisariati i Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.G. 35 vjeç, banues në Gumenicë, Greqi, me detyrë punonjës policie në Greqi. Arrestimi i tij u bë pasi më datë 08.12.2018, në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër, ky shtetas duke udhëtuar në drejtim të fshatit Bularat, Gjirokastër është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë me një armë zjarri pa leje, e tipit pistoletë me 6 fishekë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, materialet hetimore në ngarkim të shtetasit grek i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Ndërkohë, në fshatin Bularat në Qarkun e Gjirokastrës sot është organizuar një ceremoni përkujtimore për Kostandinos Kaçifa, banor i minoritetit grek që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në këtë qark më 28 tetor të këtij viti. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe shtetas grekë, si dhe pjesëtarë të minoritetit grek në qytetet jugore të Shqipërisë, ndërsa policia nuk ka lejuar hyrjen e disa shtetasve të Greqisë pasi janë shpallur persona të padëshiruar.

Nga ana tjetër është organizuar edhe një tubim paqësor në Gjirokastër nga shoqatat e ndryshme patriotike shqiptare dhe aktivistë të shoqërisë civile, për të përkujtuar shtetasit shqiptarë që janë vrarë javët e fundit në Greqi.