Ambasadori i SHBA-së për sulmin në veri të Kosovës: Ishte grup i organizuar

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se prapa grupit i cili sulmoi njësitet policore gjatë orëve të para të ditës së diel në Banjskë të Zveçanit kishte një strukturë që ishte kujdesur për përgatitjen e tyre, raporton Anadolu.

Pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier tha për mediat se sulmi i ditës së diel ka qenë shumë i madh dhe i rëndë.

“I dimë disa gjëra, por disa të tjera nuk i dimë, duhet të jemi të sinqertë. Fillimisht më lejoni të them se ka qenë një sulm dhe incident shumë i madh. Shërbimet amerikane të sigurisë po bashkëpunojnë me shërbimet kosovare të sigurisë dhe partnerë të tjerë për të ardhur deri tek një pasqyrë e qartë e asaj çfarë ndodhi dhe motiveve”, theksoi Hovenier.

Ambasadori tha se ajo që dihet është se grupi ka shfrytëzuar Manastirin e Banjskës për t’u fshehur dhe nga aty për ta sulmuar Policinë e Kosovës. Ai theksoi po ashtu se nga arsenali i armëve dhe planeve të konfiskuara nga ky grup prej anës së Policisë së Kosovës, është dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “një grup spontan”.

“Ishte grup i organizuar dhe ka strukturë prapa tyre që është kujdesur për stërvitjet dhe pajisjet e tyre. Duam t’i shkojmë deri në fund kësaj dhe t’u kërkohet përgjegjësi përgjegjësve”, ka thënë Hovenier.

Ai theksoi se nuk kanë pasur informacione paraprake për sulmin që ndodhi më 24 shtator duke theksuar se “po ta dinin, do të bënin çmos për ta parandaluar një gjë të tillë”. Ambasadori amerikan tha se gjatë kësaj kohe ka pasur koordinim të fortë mes Policisë së Kosovës, Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misionit i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

“Ne jemi me popullin e Kosovës dhe po punojmë që ata të dalin para drejtësisë”, shtoi Hovenier.

Të dielën në orët e para të mëngjesit pas një sulmi në drejtim të njësisë së Policisë së Kosovës u vra polici Afrim Bunjaku.

Gjithashtu numri i të vrarëve nga grupi i armatosur sipas autoriteteve kosovare arriti në katër.