ALSAR merr pjesë në Londër në Forumin Botëror i Udhëheqjes Muslimane

Në kryeqytetin britanik është mbajtur më 6 dhe 7 dhjetor Forumi i 4-t Botëror i Udhëheqjes Muslimane, me temë qendrore të tij, “Roli i udhëheqjes muslimane në rindërtimin e imazhit global të Islamit”.

Në kryeqytetin britanik është mbajtur më 6 dhe 7 dhjetor Forumi i 4-t Botëror i Udhëheqjes Muslimane, me temë qendrore të tij, “Roli i udhëheqjes muslimane në rindërtimin e imazhit global të Islamit”.

Politikanë, parlamentarë, qeveritarë, studiues, ekspertë, organizma të OKB-së, aktivistë dhe drejtues organizatash joqeveritare kanë qenë të ftuar në aktivitetin e zhvilluar në Londër nën kujdesin e disa institucioneve.

Forumi dyditor ka trajtuar çështje kyçe të lidhura me Islamin dhe me muslimanët. Fjalët e mbajtura kanë patur për referencë disa fusha kryesore, si krijimin e një narrative të re mbi Islamin, forcimin e udhëheqjes muslimane në të tëra nivelet, fuqizimin e femrave dhe rolin e tyre në ritrajtësimin e narrativës së re islame, dhe krijimin e platformave për udhëheqësit muslimanë për të dhënë zgjidhje për problemet aktuale të shoqërisë.

Drejtues apo ish-drejtues shtetërorë e kanë nderuar forumin me pjesëmarrjen e tyre. Veçohej pjesëmarrja e zëvendëskryeministres së Malajzisë, dr. Wan Azizah Wan Ismail, që foli për pozitën dhe rolin e femrave muslimane në shoqëri.

“Femrat muslimane duhet të dalin në pah, duhet t’i zhvillojnë e t’i vënë në punë aftësitë e tyre për të parë një përmirësim të vërtetë afatgjatë në shoqëritë muslimane”, tha mes të tjerash ajo në fjalën e mbajtur në Lambeth Palace.

I ftuar në këtë forum ka qenë dhe z. Mehdi Gurra, si kryetar i “ALSAR”-it, një prej fondacioneve më aktive në jetën shoqërore shqiptare.

Veç takimeve dhe shkëmbimit të ideve me të ftuarit në këtë forum, z. Gurra ka mbajtur dhe një fjalë, përqendruar te veprimtaria shumëdimensionale e fondacionit që ai drejton.

“Ndihem tepër i vlerësuar për ftesën e bërë për të marrë pjesë në këtë konferencë. Jam i gëzuar po ashtu që po më jepet mundësia të flas para një auditori të tillë, që të bëj një pasqyrë të zhvillimeve në vendin tim, dhe të tregoj për punën dymbëdhjetëvjeçare të organizmit që drejtoj, Fondacionit ‘ALSAR’, për misionin e tij, duke iu përmbajtur dhe tematikës së kësaj veprimtarie,” është shprehur fillimisht i ftuari nga Shqipëria.

“Bota islame është ndeshur në dekadat e fundit me sfida të jashtëzakonshme. Shumë herë ajo ka qenë e papërgatitur t’u përgjigjet atyre. Këto sfida janë ende aktuale, një pjesë e tyre akoma janë në pritje për t’u trajtuar siç duhet. Rrugëdaljet kërkojnë angazhim tërësor të shoqërisë. Nga organet qeverisëse te shoqëria civile dhe te vetë individi, të tërë kanë detyrimin për t’u prerë rrugën sëmundjeve të kohës. Këto sëmundje kanë ndikuar dhe në cenimin e imazhit të Islamit. Mëkëmbja e këtij imazhi është në vetvete sfida më e madhe e botës islame. Ajo kërkon vepra, jo fjalë!”, ka nënvizuar z. Gurra.
Të pranishmit janë njohur nëpërmjet tij me bashkëjetesën fetare në vendin tonë, por dhe me problematikat e shoqërisë shqiptare.

“Çfarë e veçon vendin tim është bashkëjetesa fetare, mbase një prej pasurive më të çmuara të Shqipërisë. Me një popullsi në shumicë muslimane, aty fetë bashkëjetojnë në paqe. Ashtu bashkëjetojnë dhe besimtarët e feve të ndryshme. Në Tiranë, në kryeqytet, brenda një hapësire jo fort të madhe i ndesh objektet qendrore të kultit të tre besimeve kryesore. Përplasjet me sfond fetar mungojnë; nëse ndodh të ketë problematika, ato janë të vogla, sporadike, dhe më së shumti janë fërkime midis kufijve të laikes dhe fetares. Proceset demokratike, ndërkaq, kanë ndjekur drejtimin e tyre, megjithëse qeverisja nuk mund të thuhet se i ka përmbushur pritshmëritë e publikut. Keqadministrimi, korrupsioni dhe papunësia janë plagë nga të cilat vuan kronikisht shoqëria shqiptare. Vendi mbetet ende në tranzicion, shoqëria ka nevojë akoma për përkujdesje.”

Fjala e mbajtur prej z. Gurra në forumin ndërkombëtar në Londër ka patur më tej në qendër “ALSAR”-in, në funksion të tematikës së aktivitetit:

“Fondacioni ‘ALSAR’ erdhi kështu në jetë në shtator të vitit 2006 jo aksidentalisht, por si nevojë për të prirë me modesti në rrugën e mëkëmbjes së shoqërisë shqiptare. Mjedisi kishte njohur dhe nisma të tjera të ngjashme, shumë prej të cilave nuk e kishin patur të gjatë. Të tjera organizata të shoqërisë civile kishin veprimtari të zbehtë, aq sa ishte e vështirë t’u mbahej mend emri. Si ‘Alternativë e së ardhmes’, misioni për të ndihmuar në mbarëvajtjen e jetës shoqërore e ka shoqëruar Fondacionin ‘ALSAR’ në këto dymbëdhjetë vite. Veprimtaria ka qenë e përqendruar në tre drejtime kryesore, në atë humanitar, arsimor dhe kulturor, duke synuar rritjen e mirëqenies në të gjitha kuptimet e fjalës.”

Përpara se të ndalet më gjerësisht te shifrat e veprimtarisë së fondacionit, ai ka theksuar se, “‘ALSAR’ është sot lehtësisht i identifikueshëm, është lehtësisht i njohshëm, falë aktivitetit intensiv. Progresi është i dukshëm mbas më shumë se një dekade. Veprimtaritë janë më të shumta, në më shumë fusha, përfituesit e drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga aktiviteti i ‘ALSAR’-it janë në rritje progresive, bashkëpunimi me fondacione të ngjashme në botë është po ashtu në shtim të vazhdueshëm.

Nga veprimtaria në kufij lokalë është kaluar në ato rajonalë, si një organizëm i kudogjendshëm. Për shembull të mirë kemi nevojë, atë po përpiqemi të japim! Për imazh të mirë kemi nevojë, atë po përpiqemi të krijojmë!”

Teksa ka përfunduar tregimin e hollësishëm të punës së “ALSAR”-it, kryetari i tij, mbajtësi i fjalës, u ka thënë të pranishmëve: “Ky është kontributi që ne japim për shoqërinë shqiptare, ky është shembulli se si duhen ndryshuar gjërat.”

Pjesëmarrja e z. Mehdi Gurra në këtë forum ka qenë një mundësi e mirë për ta bërë të ditur në nivel ndërkombëtar veprimtarinë e Fondacionit “ALSAR”. Ajo i ka shërbyer në të njëjtën kohë dhe njohjes me organizata me aktivitet të ngjashëm në pjesë të tjera të botës, krijimit të lidhjeve të reja për t’u çelur rrugën bashkëpunimeve të ardhshme.