AKEP kërkon më shumë para nga operatorët: Fatura të njihet si titull ekzekutiv

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pritet që të bëjë një rishikim dhe plotësim të kuadrit të tij ligjor duke synuar në plotësimin e disa boshllëqeve si dhe zgjidhjen e ngërçeve në disa hallka.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pritet që të bëjë një rishikim dhe plotësim të kuadrit të tij ligjor duke synuar në plotësimin e disa boshllëqeve si dhe zgjidhjen e ngërçeve në disa hallka.

Në një procedurë prokurimi ku përcaktohet kërkesa për konsulentin, AKEP sjell në vëmendje se operatorët e tregut duhet t’i paguajnë më shumë para.

Kështu referuar dokumentit thuhet se strukturat e AKEP gjykojnë se pagesa vjetore për institucionin nga operatorët, e cila nuk duhet të kalojë 0,5% të të ardhurave të tyre vjetore për komunikimet elektronike sipas dispozitave aktuale, duhet të rritet në nivelin 0,8%.

“Një kërkesë e tillë, që do ta çonte nivelin në mesataren evropiane është e justifikueshme, por do të ishte e pranueshme me kusht që tepricat e pagesave nga operatorët për AKEP të mbarteshin në buxhetet pasardhëse dhe që të bëhej një gjest lidhur me uljen e tarifës për përdorimin e frekuencave dhe taksës për shërbimet e radiokomunikacioneve që mblidhen nga AKEP, si agjent tatimor, për llogari të Ministrisë së Financave. Gjithashtu, do të ishte e drejtë që të dyfishohej pjesa që i takon AKEP nga mbledhja e kësaj takse, nga 5 në 10% të totalit” vlerëson AKEP.

Ky i fundit kërkon ndoshta përshtatjen në kuadrin ligjor edhe të një aspekti që i lejon të mbledhë detyrimet e prapambetura që i kanë operatorët ndër vite duke kërkuar që faturat që lëshohen nga AKEP të jenë titull ekzekutiv.

“Duke pasur parasysh problemet e mëdha dhe numrin e madh të proceseve gjyqësore lidhur me mbledhjen e debive nga operatorët dhe sipërmarrës të tjerë të shërbimeve të komunikimeve elektronike, faturës së lëshuar nga AKEP duhet t’i njihet natyra dhe forca juridike e titullit ekzekutiv” thuhet në dokumentet e AKEP.

Një titull ekzekutiv bën që detyrimet të kalojnë hallkat dhe të arkëtohen me forcë duke përfshirë edhe përmbarimin si hallkë.

AKEP ka nënvizuar që konsulenti ndoshta duhet të shohë mundësinë që të përafrohet me direktivën pjesa  e analizave të tregut duke kaluar nga ato 2 vjeçare në 5 vjeçare.

Po kështu sipas AKEP është e nevojshme që të sanksionohet në mënyrë normative detyrimi për sipërmarrësit ndërtues për të sistemuar në godina infrastrukturën për rrjetet e brendshme të komunikimeve elektronike, por edhe të burimeve alternative energjetike, si panelet diellore, të cilat duhet të jenë të rëndësisë së dorës së parë në furnizimin me energji me kosto sa më të kufizuara të teknologjive 5G. në këtë pikë rekomandohet që pushteti vendor dhe Prefekti duhet të jenë në vijë të parë për të marrë masa ndëshkuese në rast se këto detyrime neglizhohen, jo AKEP./Monitor