Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë një studim rreth shkëmbimeve tregtare Kosovë Shqipëri për vitin 2023. Sipas këtij studimi shkëmbimet tregtare janë rritur dukshëm në krahasim me vitin 2022.
Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2023 kanë kaluar shifrën rreth 440 milionë euro.
Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes, Agim Shahini ka treguar se kjo shifër është rekorde.
“Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2023 kanë shënuar një rekorde prej 440 milionë euro, dhe kjo është ndoshta arsye e vetme që e arsyeton edhe Rrugën e Kombit dhe investimet në të ardhmen edhe në hekurudhat e Kosovës me Shqipërinë”.
Shahini thotë se pavarësisht politikës, bizneset dhe konsumatorët janë në nivel të lartë të bashkëpunimit.
“Po njëkohësisht kjo tregon se pavarësisht ftohjes të raporteve të politikanëve apo të qeverive, populli bizneset dhe qytetarët, me konsumatorët janë në nivelin më të lartë të raporteve dhe rritjes së raporteve edhe shkëmbimeve tregtare”.
Kurse, sa i përket investimeve të kosovarëve në Shqipëri, Shahini thotë se gjatë sezonit të verës ato kapin vlerën mbi 300 milionë euro.
“Këto janë vlera që e rritin mirëbesimin mes Kosovës dhe Shqipërisë”.
Shahini tregon se qytetarët e Kosovës kanë zëvendësuar produktet që më parë kanë marrë nga Serbia, me ato të Shqipërisë.
“Konsumatorët kosovarë e konsumatorët shqiptarë kur duan, mund ta ndihmojnë ekonominë e vendit dhe prodhimin e vendit”.
Ndryshe, në studimin e bërë nga AKB theksohet se këto shkëmbime tregtare të vitit 2023 janë më të larta se të vitit 2022.
“Shkëmbimet tregtare mes dy shteteve tona Kosovë-Shqipëri për vitin 2023 thyen rekordin me importe dhe eksporte mes bizneseve, ku Kosova ka importuar nga Shqipëria rreth 326 milionë euro kurse bizneset e Kosovës kanë eksportuar rreth 113 milionë euro. Nëse e krahasojmë me vitin 2022 shkëmbimet tregtare ishin 356 milionë euro, kurse 2023 ishim 439 milionë euro apo rritje rreth 83 milionë euro ose mbi 23% më shumë”, thuhej në njoftimin e bërë nga AKB.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka vlerësuar se pavarësisht raporteve politike dhe qeveritare, bizneset, qytetarët dhe konsumatorët në të dy anët po rrisin bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellët në të mirë të rritjes së ekonomisë kombëtare.