Në takimin e sotëm joformal me gazetarët, ministri i Kulturës Asaf Ademi tha se financimi i projekteve me interes nacional në kulturë do të vendoset gjeografikisht në baza ligjore, në mënyrë që të ketë kulturë për të gjithë dhe kudo, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një brifing me gazetarët, ministri Ademi tha se motivi kryesor i tyre për punë është “Kulturë për të gjithë”.
“Një nga përpjekjet tona është që Ministrinë e Kulturës të gjithë ta ndjejnë si të sajën, pavarësisht nga përkatësia fetare dhe etnike”, tha Ademi.
Ministri i Kulturës, Ademi njoftoi në brifing planin e veprimit lidhur me financimin e projekteve me interes nacional dhe gjithashtu ndau informacionin me publikun mbi kryetarët e komisioneve.
“Jemi përpjekur që të kemi anëtarë pothuajse të rinj në të gjitha komisionet, të cilat në total janë 9. Ata që vitin e kaluar punuan mirë do të vazhdojnë të punojnë. Mendojmë se mund të emërojmë kryetarë dhe anëtarë të rinj. Pres që të kem bashkëpunim të mirë me ta. Kryetarët dhe të gjithë anëtarët e tjerë janë njerëz profesionistë, të ndershëm dhe besoj se do të punojnë konform ligjit”, tha Ademi.
Ademi gjithashtu theksoi se vendimi për financimin e projekteve do të mbështetet në propozimet e marra nga komisionet, sepse nuk është e mundur që ai të marrë parasysh të gjitha 5 mijë aplikimet.
Në pyetjen e gazetarëve, si do të parandalojë që punonjësit e ministrisë përmes organizatave të tjera joqeveritare të marrin para nga projektet ministri i Kulturës, Ademi theksoi:
“Pres, raport të pastër, të mirë dhe pa skandale nga komisionet, në mënyrë që të mos përsëriten të njëjtat gabime nga vitet e mëparshme. Unë besoj tek njerëzit. Nëse komisionet nuk e përmbushin fjalën atëherë ato do të kenë konsekuenca”.
Ai theksoi se vendimin për financimin e projekteve kulturore për vitin 2019 do ta paraqesë më 28 janar, sipas obligimit ligjor, 45 ditë pas miratimit të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë.