Kosovë, lansohet fushata “Bëhu zëri im”

"Lëndimin e tyre duhet ta shërojmë së bashku. Nderi dhe dinjiteti i tyre duhet të kthehet përmes mirëkuptimit në forcë dhe besim", tha presidenti Thaçi

Oganizata joqeveritare Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Shoqatën e grave “Medica Gjakova”, lansuan fushatën “Bëhu zëri im”, në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, raporton Anadolu Agency (AA).

Fushata e cila filloi me ecjen e përfaqësuesve të lartë shtetërorë, atyre të misioneve diplomatike në Kosovë dhe qytetarëve nga sheshi “Skënderbeu” (para Teatrit Kombëtar) deri tek sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, vazhdoi me leximin e zarfeve ku në to ndodheshin rrëfimet e grave dhe vajzave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rrushiti, gjatë fjalës së saj tha se sot për herë të parë po shpalosen publikisht narrativat e dhunës seksuale të luftës, rrënkimet, trishtimet e përjetimet e tmerrshme të grave dhe vajzave kosovare.

Duke u zotuar se do të jenë gjithmonë pranë këtyre grave për t’i ndihmuar ato, Rushiti tha se: “Vetëm duke u bërë zëri i tyre, pra e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës, ne ngrejmë vetëdijen e këtij vendi duke i dhënë hapësirë asaj që nuk pati guxim ta ndajë rrëfimin e saj, asaj që iu detyrua heshtja, asaj që jeta iu ka rrënuar. Andaj jemi këtu për t’u bërë zëri i tyre në familje, shoqëri dhe ngado që të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë”.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili poashtu ishte i pranishëm në lansimin e fushatës, theksoi se Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte e cila shënohet sot, synon të tërheq vëmendjen e shoqërive dhe shteteve demokratike për këtë dukuri që pengon ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Ai lexoi një fragment nga zarfi me një rrëfim të një viktime të dhunës seksuale shkaktuar nga forcat serbe ku tha se të gjithë duhet të bëhen zëri i kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë kosovare.

Sipas tij, Serbia do të japë përgjegjësi për krimet që i ka bërë në Kosovë. Thaçi u shpreh se të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë fajtore për atë që u ndodhi dhe shtoi se ato dhe ata kanë nëvojë për përkrahjen e gjithë shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës.

“Edhe pse Kosova njihet për aktivitetet që kanë rritur ndërgjegjësimin publik duhet të bëjmë edhe më shumë për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte. Duhet të bëjmë më shumë për t’i përkrahur të mbijetuarat apo mbijetuarit duke ua kthyer besimin në vetvete. Lëndimin e tyre duhet ta shërojmë së bashku. Nderi dhe dinjiteti i tyre duhet të kthehet përmes mirëkuptimit në forcë dhe besim”, tha Thaçi.

Ndërsa, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se mungesa e drejtësisë ka shndërruar jetën e viktimave në një makth të përditshëm ku ato ende përballen me diskriminim, stigmatizim dhe me izolim social.

Duke përmendur edhe hapat pozitive të hedhur në ndihmë të viktimave të dhunës, Jahjaga bëri të ditur se me themelimin e “Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës” në vitin 2014, kanë arritur që të ndryshojnë Ligjin për viktimat e luftës duke i futur ato si kategori e veçantë në këtë ligj.

“Tash e disa muaj tani më ka filluar procesi i verifikimit të statusit të të mbijetuarve. Një proces jetik dhe shumë gjatë i pritur që do t’i mundësojë secilës viktimë një kompensim të dinjitetshëm financiar. Çështjen e dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë dhe nevojën për drejtësi për mijëra të mbijetuarat të këtij krimi e kemi ngritur dhe do të vazhdojmë që ta ngrisim në konferenca dhe tryeza të ndryshme në nivelin vendor dhe ndërkombëtar me qëllimin e vetëm, ‘Për të kërkuar drejtësi'”, tha Jahjaga.

Fushata “Bëhu zëri im” është përkrahje për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë numri i të cilëve mendohet të jetë rreth 20 mijë.