Shqipëri, marrëveshje mes institucioneve për fondet arkivore

Sipas marrëveshjes, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të ofrojë mbështetje për studiuesit e Institutit të Historisë me burimet arkivore dixhitale pa pagesë

 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e botimeve dhe qasjes së lirë të fondeve arkivore, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido dhe drejtori i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Beqir Meta.

Pas firmosjes së marrëveshjes, Bido tha se nënshkrimi i marrëveshjes mundëson një përfitim të përbashkët për të dy institucionet, për kulturën dhe trashëgiminë kulturore mbarëkombëtare.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër që të furnizojë me kopje dokumentesh falas Institutin e Historisë në kuadër të studimeve të veta, ndërkohë që Institutin e Historisë do të mundësojë që të zhvillohen përmbledhje dokumentesh të përbashkëta me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Ndërkohë ne jemi të gatshëm të ofrojmë dokumente për të gjitha studimet monografike në studimet albanologjike që bëhen në vendin tonë. Ky është një fitim institucional, sepse në plotësojmë njëri-tjetrin, burimet njerëzore dhe arkivore bëhen njësh”, deklaroi Bido.

Bido tha se kjo marrëveshje është një interes kombëtar, sepse sipas tij i jepet një hov më i madh studimeve albanologjike dhe studimeve në fushën e përmbledhjeve dokumentare.

Nda ana e tij, drejtori i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Beqir Meta, tha se qëllimi kryesor i marrëveshjes është inkurajimi i kërkimit shkencor në fushën e historisë kombëtare.

“Gjithashtu është një avantazh i madh që ju jepet studiuesve, por duke ndihmuar studiuesit në kërkim, duke shtuar produktin dhe cilësinë e kërkimit shkencor, ne i kontribuojmë dhe lexuesit dhe interesit tonë kombëtar, për të shtuar numrin e botimeve dhe cilësinë e tyre”, u shpreh Meta.

Sipas tij, marrëveshja i shërben të dyja institucioneve, sepse do të realizohen punë të përbashkëta dhe do të ketë përfitim të ndërsjellë.

Sipas marrëveshjes, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të ofrojë mbështetje për studiuesit e Institutit të Historisë me burimet arkivore dixhitale pa pagesë.