Në kuadër të shkëmbimeve ndërbibliotekare përfaqësues të Forcave të Sigurisë Kombëtare të Republikës së Kosovës dhe të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, bënë një vizitë në bibliotekën publike të Shkodrës, “Marin Barleti”, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërbibliotekar mes bibliotekës të Shkodrës dhe dy bibliotekave të administruara nga FSK.
Me këtë rast, bibliotekës “Marin Barleti” ju dhuruan disa libra, mes të cilëve veçojmë: “Bardhësi e Atdheut” (Enciklopedi e dëshmorëve të UÇK-së 1997-2002) të autorit Afrim Mustafa, një pjesë e serisë monografike “Fenikasit e Ilirisë”, “Toka skuq dhe qielli nxin” të Afrim Hysenit, si dhe disa vëllime poetike të autorëve Izet Abdyli dhe Ilir Shaqiri.
Drejtori i bibliotekës së qytetit të Shkodrës, Gjovalin Çuni në lidhje me vizitën e parë të FSK-së në këtë institucion kulturor për Zërin e Turqisë, TRT-në tha:
“…Ishte një nder i veçantë për bibliotekën tonë që Forca e Sigurisë Kombëtare të Kosovës bënë një vizitë në bibliotekën e qytetit. Vizita u organizua në kuadër të shkëmbimeve ndërbibliotekare nëpërmjet përfaqësuesve të Forcave të Sigurisë Kombëtare të Kosovës dhe të Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, “Pjetër Bogdani”, ku në këtë vizitë u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërbibliotekar mes bibliotekës sonë që natyrshëm është një nga bibliotekat më të vjetra dhe më të rëndësishme në bibliotekat e Shqipërisë dhe dy bibliotekave të administruara nga FSK.
Krahas bashkëbisedimeve, krahas premtimeve reciproke për bashkëpunim, në fushën e bibliotekave dhe në fushën e organizimit dhe ndihmës të bibliotekave të administruara nga FSK-ja, me këtë rast u shkëmbyen edhe dhurata të ndryshme, natyrshëm në bibliotekë këto dhurata janë libra. Forcat e FSK-së i dorëzuan bibliotekës një sërë librash që pasurojnë fondet e bibliotekës kryesisht fondin e pasur Albano-Balkanologjik që ndodhet në bibliotekën tonë. Kështu ata i dhuruan bibliotekës “Bardhësi e Atdheut” (Enciklopedi e dëshmorëve të UÇK-së 1997-2002) të autorit Afrim Mustafa, një pjesë e serisë monografike “Fenikasit e Ilirisë”, “Toka skuq dhe qielli nxin” të Afrim Hysenit, si dhe disa vëllime poetike të autorëve Izet Abdyli dhe Ilir Shaqiri….”.
Ndërkaq, drejtori i bibliotekës, Çuni tha se këto bashkëpunime ndërbliliotekare dhe ndërkombëtare do të vijnë duke u forcuar në të ardhmen.
“…Mendojmë që edhe në të ardhmen të vijojmë lidhjet me këto dy biblioteka, sepse këto lidhje nuk do të jenë asgjë tjetër veçse lidhje që forcojnë marrëdhëniet ndërbibliotekare, si dhe pasurojnë edhe fondet e bibliotekës me libra që do të dhurohen nga ana e bibliotekës sonë. Nga ana tjetër ne presim që të vijnë edhe libra botime që realizojnë Forcat Sigurisë Kombëtare që tashmë janë kthyer në Ushtria e Kosovës…”.