Një komitet izraelit ministror ka miratuar një projekt-ligj për të ndaluar vizitat për anëtarët e Lëvizjes palestineze Hamas në burgjet izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton e përditshmja izraelite Haaretz, projekt-ligji do të bllokojë vizitat për të burgosurit e Hamasit nga pëfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe nga anëtarët e familjes.
Komiteti ministror i Izraelit për Legjislacion argumentoi se projekt-ligji ishte miratuar në përgjigje të refuzimit të Hamasit për të lejuar vizita për izraelitët e kapur nga grupi palestinez në Rripin e Gazës.
Izraeli thotë se Hamasi ka kapur katër izraelitë, përfshirë dy ushtarë në enklavën bregdetare.
Parlamenti izraelit Knesset duhet të miratojë projekt-ligjin e hartuar nga ligjvënësi Likud Oren Hazan në tre lexime për t’u bërë ligj.
Por, mbetet e paqartë kur ligji do të paraqitet në Knesset për miratim.
Ndërkohë, nga Lëvizja palestineze Hamas ende nuk ka koment mbi projekt-ligjin izraelit.
Sipas shifrave palestineze, rreth 6.500 palestinezë vazhdojnë të vuajnë në qendrat izraelite të paraburgimit, përfshirë qindra gra dhe qindra të mitur.