Instituti “Junus Emre” organizon në Vjenë konferencën me temë: “Stefan Cvajgu në Turqi”

Në Vjenë u mbajt të enjten një konferencë me temë jetën dhe veprat e përkthyera në turqisht të shkrimtarit austriak me famë botërore, Stefan Cvajg (Stefan Zweig)...

Në Vjenë u mbajt të enjten një konferencë me temë jetën dhe veprat e përkthyera në turqisht të shkrimtarit austriak me famë botërore, Stefan Cvajg (Stefan Zweig).

Të pranishëm në këtë aktivitet, organizuar në një prej sallave të Institutit “Junus Emre” (Yunus Emre) në Vjenë, ishin shumë të ftuar.

Drejtoresha e Institutit “Junus Emre” në Vjenë, Ajshe Jorullmaz (Ayşe Yorulmaz), e cila mbajti një fjalim përshëndetës në hapje të konferencës, deklaroi se përkthimi në gjuhën turke i pothuajse të gjitha veprave të Stefan Cvajgut është treguesi më i rëndësishëm i vlerës, që lexuesit turq i kushtojnë atij.

“Ndërveprimi i letërsisë austriake dhe turke është një shans i madh për të njohur më nga afër njëri-tjetrin”, theksoi drejtoresha Jorullmaz duke shtuar se ky mjeshtër i madh i letrave luan rolin e një ure ndërmjet dy kulturave.

Kurse gazetari, fotografi profesionist dhe përkthyesi turk, Ahmet Arpad, ndau me të pranishmit në konferencë informacione të çmuara në lidhje me veprat e Cvajgut dhe arsyet e interesit të lartë për veprat e tij në Turqi.

I vlerësuar për përkthimet e tij me shumë çmime nga institucione të ndryshme, me në krye Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Institutin Gëte (Goethe), Ahmet Arpadi tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e prezantimit me një turqishte të rafinuar për lexuesit turq të një shkrimtari me përmasa globale, siç është Stefan Cvajgu, një mjeshtër i papërsëritshëm i letrave në gjuhën gjermane.

Pasi vuri në pah se në gjuhën turke janë bërë rreth 100 përkthime nga shkrimtari austriak, Arpadi tha se përkthimin e parë nga Cvajgu në turqisht e ka realizuar babai i tij, ndërkohë që ai vetë ka përkthyer 17 libra të tij.

Lindur në Vjenë, më 28 nëntor 1881, Stefan Cvajgu ka prodhuar dhjetëra vepra në zhanre të ndryshme të letërsisë, ku ia vlen të përmenden proza, poezia, drama, eseja dhe teatri.

Veprat e Cvjagut, një ndër autorët më të lexuar të gjermanishtes në vitet 1920-1930, janë përkthyer në mbi 50 gjuhë deri më sot.

Rënia e Singaporit në vitin 1942 përforcoi patundshmërish bindjen e tij se nazizmi së shpejti do të pushtonte tërë rruzullin. I zhgënjyer, i izoluar dhe larg Evropës pasi ishte arratisur nga Gjermania Naziste në Brazil më 1941-shin, Stefan Cvajgu u vetëvra së bashku me bashkëshorten e tij pranë Rio-de-Zhanejros, më datë 22 shkurt 1942./TRT