“Karvani i Ballkanit” promovon kulturën turke në Prishtinë

“Ky karvan, i cili viziton shtete të ndryshme të Ballkanit, është një aktivitet shumë i bukur dhe ka për qëllim promovimin dhe takimin me popullin e kulturës sonë tradicionale dhe atë moderne në vendet të cilët i viziton”, tha Mehmet Ülker

“Ky karvan, i cili viziton shtete të ndryshme të Ballkanit, është një aktivitet shumë i bukur dhe ka për qëllim promovimin dhe takimin me popullin e kulturës sonë tradicionale dhe atë moderne në vendet të cilët i viziton”, tha Mehmet Ülker

 Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, sot ka arritur “Karvani i Ballkanit” i cili është nisur nga Turqia për promovimin e kulturës dhe arteve tradicionale turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës në kuadër të aktivitetit “Karvani i Ballkanit”, i organizuar nga Bashkia e Kyqykçekmexhesë me mbështetjen e Fondit të Promovimit të Kryeministrisë dhe në bashkëpunim të Institutit Yunus Emre dhe Universitetit Trakya u hapën tendat promovuese të kulturës dhe arteve tradicionale.

Në kuadër të “Karvanit të Ballkanit” u mbajtën edhe aktivitete të ndryshme si vallet folklorike nga rajonet e ndryshme të Turqisë, shfaqjet e semazeneve, e të punimeve artizanale turke si punime të ebrusë, qelqit e të kaligrafisë. Qytetarët e Prishtinës, të cilët treguan një interesim të madh për këtë program, u shërbyen edhe me kafen turke, pastën osmane, karamelë pambukun dhe me sherbet.

Në një deklaratë për mediat drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker tha se “Karvani i Ballkanit” sot në një atmosferë shumë të bukur është takuar me qytetarët e Prishtinës. “Ky karvan, i cili viziton shtete të ndryshme të Ballkanit, është një aktivitet shumë i bukur dhe ka për qëllim promovimin dhe takimin me popullin e kulturës sonë tradicionale dhe atë moderne në vendet të cilët i viziton”, tha ai.

Duke rikujtuar se “Karvani i Ballkanit” për herë të parë ka ardhur në Kosovë në vitin 2015, Ülker tha se atëherë ishte ndalur në qytetin e Prizrenit, kurse këtë vit menduan që ky aktivitet të mbahet në Prishtinë.

Ndërsa Özgür Oran, përfaqësues i Bashkisë së Kyqykçekmexhesë dhe koordinator i këtij projekti tha se janë pritur shumë mirë në vendet të cilat i kanë vizituar deri më tani.

“Qëllimi ynë kryesor është promovimi i kulturës turke në shtetet e Ballkanit dhe përforcimi i marrëdhënieve tona vëllazërore dhe miqësore që vijnë nga e kaluara. Me këtë qëllim 55 artistë tanë që u mblodhën nga rajone të ndryshme të Turqisë më 18 korrik u nisën nga Stambolli. Në kuadër të programit tonë synuam që të realizojmë 8 programe në 5 shtete”, tha ai.

Ai tha se edhe në programin e vitit 2015 kishin marrë reagime shumë të mira dhe se edhe qytetarët e qyteteve të cilët i kishin vizituar mbetën të kënaqur nga ky projekt. Oran tha se shpresojnë që ky program do të shndërrohet në një aktivitet tradicional.

Kujtojmë se “Karvani i Ballkanit” përveç Prishtinës ka vizituar edhe Sarajevën, Mostarin, Budvën, Tiranën, Ohrin, Gostivarin, kurse aktivitetet e tij do t’i përfundojë nesër me programin që do të mbajë në Komunën e Mamushës në Kosovë.