Serbia injoron thirrjet e NATO-s, të tjera barrikada në veri të Kosovës

As në ditën e 18-të serbët lokal në veri të Kosovës nuk kanë larguar barrikadat. Për më tepër ata kanë vendosur edhe dy të tjera.

Njëra nga bllokimet e rrugëve ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, saktësisht në afërsi të Shkollës Teknike.

Kjo lagje është multietnike në të cilën jetojnë shqiptarë, serbë, boshnjakë e komunitete të tjera.

Rruga ku është vendosur kjo barrikadë është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Po ashtu, një tjetër barrikade është ngritur në vendin e njohur si “Dudin Kërsh” në Zveçan, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit, ku edhe ishte vendosur nje ndër barrikadat e para.

Bllokimi i kësaj rruge ua pamundëson lëvizjen e tri fshatrave shqiptare, Boletin, Zhazh dhe Lipë.

Të hënë pasdite, kryeministri i Kosovës, pas takimit me drejtuesit e KFOR dhe Eulex ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Në njoftimin e lëshuar pas takimit thuhej se strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve të misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.

Për këtë qeveria ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in.

Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Lista Serbe ndërkohë ka mohuar që serbet e veriut qëndrojnë mbrapa sulmeve të fundit ndaj KFOR-it, duke shtuar se Kurti po organizon këto sulme për të fajësuar serbët.

Ndërsa, drejtuesit e shtetit serb kanë vendosur njësitë e ushtrisë dhe policisë në nivel të lartë të gatishmërisë.

Kjo sipas Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë, Petar Petkoviç, është “përgjigje ndaj kërcënimit të menjëhershëm të luftës” dhe asaj që po bën Kosova për të “kryer një sulm” në veri të Kosovës kundër popullatës cilvile.