Kosovë, situatë e qetë në veri por ende me barrikada nëpër rrugë

Kamionë dhe automjete të rënda po vazhdojnë të bllokojnë rrugët publike për të 13-tën ditë me radhë në veri të Kosovës të cilat çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Shumë qytetarë me automjete vijnë deri në Rudarë të Zveçanit, aty ku është vendosur njëra prej barrikadave, ndërsa kthehen prapa, për shkak se nuk mund ta kalojnë rrugën për të shkuar në Jarinje e cila ndodhet rreth 30 kilometra nga barrikada.

Situata është e qetë në këtë pjesë, derisa, disa metra para barrikadës janë vendosur pjesëtarë të forcave hungareze të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) me dy automjete si dhe disa patrulla të Misionit të Sundimit të Ligjit i Bashkimit Evropian (EULEX).

Barrikadat në veri të vendit në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak u vendosën nga 10 dhjetori nga serbët lokalë si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Sot në veri pritet të mbahet një protestë nga serbët të cilët jetojnë në territorin e Kosovës për të drejtat e këtij komuniteti në vend.