Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka ndarë 50 mirënjohje për gratë të cilat shënuan sukses në fusha të ndryshme gjatë vitit 2022, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës u organizua nën patronazhin e zëvendëskryeministres për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, për gratë në politikë, biznes, kulturë, sport e fusha të tjera.
Në fjalën e saj, zv/kryeministrja Rexhepi tha se jo vetëm në Kosovë por në botë ekziston stereotipi se meshkujt janë faktorë të çdo lloj përparimi gjatë historisë, por e vërteta tha ajo është se edhe gratë kanë kryer shumë veprimtari që janë bartur nga gjenerata në gjeneratë por pak gra janë futur në libra të historisë.
Ajo tha se gratë duhet të luftojnë për të drejtat e tyre në mënyrë konstante sepse janë të fuqishme, të drejta dhe janë shtylla e familjes.
“Gratë janë të fuqishme, janë të drejta dhe paraqesin shtyllën e familjes, arrijnë që t’i realizojnë të gjitha gjatë 24 orëve edhe në punë edhe të rregullojë shtëpinë edhe të përgatisë ushqimin, ta presë burrin, t’i rrisë fëmijët dhe të kujdeset për të moshuarit”, theksoi Rexhepi.
Në fund të aktivitetit ku morën pjesë qindra gra, u shpërblyen me mirënjohje 50 gra, nga të cilat ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, biznesmenja nga Krusha e Madhe e cila humbi burrin në luftën e vitit 1999, Fahrije Hoti, aktivistja e të drejtave të grave Ikballe Rugova, trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi, Arbnora Fejza-Idrizi dhe të tjera.