Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë, pas vendimit të qeverisë për targat.
Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se këtë urdhër e ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksander Vuçiç.
Lajmi vjen pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës ka nisur me zbatimin e planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe.
Vendimi i marrë nga qeveria e Kosovës është në 3 faza: E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa të Republikës së Kosovës.