Ministria e Brendshme e Kosovës: Pas 21 nëntorit gjobë 150 euro për targat serbe

Nga data 1 nëntor, të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, do t’iu shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Sipas saj, nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.

REL-i është interesuar për masat që do të marrin autoritetet e Kosovës për këto makina, pas vendimit të 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për targat në tri faza.

Fillimisht Qeveria e ka pasur 31 tetorin si afat të fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës.

Sipas planit të ri, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për pronarët e makinave me targa serbe dhe nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë gjobë.