Me një popullsi prej rreth 22 milionë banorësh, Mumbai është një nga qytetet më të mëdha në botë. Por në kaosin e tij, ka diçka që është 100% e saktë, dërgesa e drekës.
Këta njerëz të veshur me të bardha dhe me kapele, quhen Dabbawalas, dhe dërgojnë drekën për rreth 200 mijë persona në ditë. Kjo traditë është qindra vjeçare në Mumbai. Fillesat e saj datojnë në kohën e pushtimit britanik, kur zyrtarët anglezë nuk u përshtatën dot me ushqimin vendas dhe filluan ta merrnin atë nga shtëpia. Por për aristokratët anglezë, marrja e ushqimit me vete ishte diçka fyese, kështu që ata krijuan rrjetin e Dabbawalave. Sistemi i tyre funksionon në mënyrë perfekte që nga ajo kohë dhe aktualisht në të punojnë rreth 5 mijë burra.
Logjika është e thjeshtë, ata marrin ushqimin e përgatitur në shtëpi, e çojnë në adresën e caktuar, dhe pasi e ke përfunduar drekën, marrin kutitë e ushqimit dhe i dërgojnë përsëri në shtëpi. E gjitha kjo për një pagesë prej rreth 8.25 dollarësh në muaj. Ata kanë një kod shumë të saktë të përbërë nga numra, shkronja dhe ngjyra të ndryshme, të cilin e kuptojnë vetëm ata, dhe me anë të tij bëhet shpërndarja e saktë e ushqimit, shkruan klan.
Për të shpërndarë ushqimin, përdorin biçikleta, rrjetin hekurudhor dhe mënyrën tradicionale të mbajtjes së peshave mbi kokë, dhe secili prej tyre transporton rreth 150 kilogram në një ngarkesë.