2 viktima nga koronavirusi në Itali, 29 të tjerë të infektuar, Conte: S’ka vend për panik. Mobilizohet Shqipëria

Dy viktima nga koronavisuri në Itali, një prej tyre është, Adriano Trevisan, 78-vjeç. Giuseppe Conte ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme me Mbrojtjen Civile,ku theksoi se nuk ka vend për panik. Nurmi i të infektuarve në shtetin fqinj ka shkuar në 29.

2 viktima janë shënuar deri më tani nga koronavirusi në Itali. Mediet vendase raportojnë se viktima i parë është 78-vjeçari, Adriano Trevisan, i cili prej 10 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Schiavonia-s, në Lombardi. Ndërsa viktima e dytë është një grua 67-vjeçare, identiteti i të cilës nuk dihet ende. Dy pensionistët e njihnin njëri-tjetrin. Ata frekuentonin dy bare të njëjtë, tashmë të mbyllura me një urdhër të kryetarit Giuliano Martini, ku shkonin për të luajtur letra. Ata kurrë nuk kishin qenë në Kinë dhe kanë nisur hetimet për të zbuluar se kush mund t’i ketë infektuar.

Për këtë ngjarje, kryeministri Giuseppe Conte ka zhvilluar një mbledhje me të jashtëzakonshëm me Mbrojtjen Civile, në të cilin mori pjesë edhe Ministri i Shëndetit, Roberto Speranza. Conte u shpreh se janë marrë të gjitha masat dhe se nuk ka vend për panik. Ndërsa ministri i Shëndetësisë theksoi se kushdo që ka rënë në kontakt me njerëz që kanë testuar pozitivisht për virusin, duhet të hyjnë në karantinë

Në Itali, numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 29. Përveç rasteve të konfirmuara, dyshohet se janë prekur edhe dy persona në Veneto. Për të kufizuar përhapjen e koronavirusit në Lombardi, Ministria e Shëndetësisë ka marrë një vendim që parashikon pezullimin e të gjitha veprimtarive publike, tregtare, lojërave, sporteve dhe mbylljen e shkollave.

Alarmi për koronavirusin ka përfshirë edhe Shqipërinë. Në Portin e Durrësit janë shtuar masat e sigurisë dhe kontrollet për tragetet që vijnë nga Italia drejt Shqipërisë, ndërsa vetëm në fundjavë kanë hyrë 2 tragete me 446 pasagjerë. Mjeku Indrit Kalaja, përgjegjës për karantinën e vendosur në këtë port, ka bërë me dije se janë bërë të gjitha kontrollet dhe pasagjerët nuk kanë patur lidhje me vatrat e infektuara.

Kina po përballet çdo ditë e më shumë me shtimin e numrit të viktimave si shkak i koronavirusit që është përhapur gjerësisht në 29 vende të botës. Mësohet se në rang global janë shënuar 2345 viktima dhe mbi 75 mijë njerëz të tjerë janë infektuar nga ky virus vdekjeprurës. Ndërkohë në Korenë e Jugut pasi u shënua edhe viktima e parë disa ditë më parë, ndërsa numri i të infektuarve është rritur në 156. Ky virus rrezikon të përhapet në mbarë botën pasi përhapet shumë lehtë nga njeriu në njeri.

Dy viktima nga koronavirusi në Itali, Manastirliu mbledh Task Forcën (VENDIMET)

Ogerta Manastirliu dhe Task-Forca

Pas lajmit se në Itali u shënuan dy viktima nga koronavirusi, sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mblodhi sot Task-Forcën për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen ndaj koronavirusit të ri.

Pas diskutimeve mes ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve, u vendos përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale dhe përforcimi i gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.

Task Forca vendosi:

Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore.

Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për cdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenje klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca vendosi që masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit duhet të vijojë.

Gjithashtu sic është bërë me dije, tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është një strukturë SPITALORE, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri REKOMANDON të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.