Shpërndante doza lëndësh narkotike në kryeqytet, anti-droga arreston 21-vjeçarin

Sektori i Narkotikëve në Policinë e Tiranës ka arrestuar një 21-vjeçar që shpërndante lëndë narkotike në kryeqytet.

Policia bëri me dije se nga operacioni është sekuestruar 1 kilogramë e 250 gramë kanabis dhe një sasi lënde e dyshuar si kokainë.

I riu u arrestua në rrugën “Nikolla Lena” ku dhe shiste sasinë e lëndës narkotike të ndarë në porcione të vogla. 21-vjeçari shiste gjithashtu në zonën e rrugës së “Kavajës”. Një dozë kanabis kushtonte 500 lekë, ndërsa një dozë kokainë 8000 lekë.

“Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi dhe gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira prej tij në rrugën “Nikolla Lena”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 250 gramë cannabis sativa, një sasi lënde narkotike kokainë , 1 aparat celular dhe 2 peshore elektronike,” – thuhej një njoftimin e policisë.