Zyrtare: Thibaut Courtois tek Real Madrid, Mateo Kovaçiç tek Chelsea

Pavarësisht një ambienti aspak të qetë, me lojtarë të larguar dhe të tjerë që duan të largohen, Reali i Madridit ka arritur të bëjë një goditje të bujshme në merkato.

Pavarësisht një ambienti aspak të qetë, me lojtarë të larguar dhe të tjerë që duan të largohen, Reali i Madridit ka arritur të bëjë një goditje të bujshme në merkato.

Klubi madrilen ka siguruar shërbimet e portierit belg, Thibaut Courtois, i cili do të nisë kështu një eksperiencë në kampionatin spanjoll, pasi nënshkroi një kontratë 6-vjeçare me skuadrën e Lopeteguit.

Pas shumë diskutimesh dhe një rezistence shembullore nga ana e Chelseat, më në fund londinezët pranuan të marrin 35 milionë euro dhe të heqin dorë nga portieri, kontrata e të cilit skadonte verën e ardhshme.

“Doreza e Artë” e botërorit “Rusi 2018” kishte kërkuar me ngulm largimin drejt Madridit, për të qenë pranë fëmijëve të tij, që jetojnë në Spanjë, me ish bashkëshorten.

Po mbrëmjen e sotme u zyrtarizua edhe huazimi i mesfushorit kroat të Realit, Matteo Kovaçiç, pikërisht te Chelsea. Edhe kroati kishte kërkuar largimin nga Los Blancos, pasi kërkonte një skuadër që do t’i garantonte më shumë minuta në dispozicion.