Zyrat e punës ofrojnë aktualisht 6300 vende të lira pune, vetëm 22% për ata me arsim të lartë

Aktualisht Agjencia Kombëtare Punës ofron 6300 vende të lira pune në të gjithë vendin, prej të cilave vetëm 1400 ose 22 për qind janë profesion që kërkojnë arsim të lartë.

Ndër profesionet ku kërkohen persona me arsim të lartë janë dentistët, punonjësit e teknologjisë së informacionit, menaxherë etj.

Por më së shumti oferta për punë është për persona me arsim të mesëm dhe sektori i shërbimeve është ofruesi më i madh i vendeve të reja të punës nga zyra shtetërorë të punësimit ne fillim të vitit 2024.

Të dhënat e përpunuara tregojnë se një e katërta e vendeve të lira të punës është në Tiranë.

Tregu i punës gjatë vitit 2023 ka vijuar trendin rënës të shkallës së papunësisë së përgjithshme por rritjen e papunësisë tek të rinjtë.

Për nëntëmujorin 2023 rritja vjetore e numrit te të punësuarve ka qenë mesatarisht 2.7 për qind. Ministria e Financave analizon se, nga pikëpamja e ofertës së punës, kjo rritje e punësimit ka qenë kryesisht e ushqyer nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës, e më tej, shkallës së punësimit, të cilat në tremujorin e tretë të 2023 arritën përkatësisht nivelet 76 për qind (nga 73.4 për qind një vit më parë, T3-2022) dhe 67.7 për qind (nga 65.4 për qind një vit më parë, T3-2022).

Norma mesatare e papunësisë për nëntëmujorin e 2023 (për grup-moshën 15-64 vjeç) ishte 11.2 për qind, duke pësuar rënie nga niveli prej 11.3 për qind i nëntëmujorit të 2022.

Në parashikimet afatmesme punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.2 për qind në vit gjatë viteve 2025-2027. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që trendet negative demografike, të vërejtura prej disa vitesh tashmë, pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregat të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim.

Shërbimet pritet të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë për shkak të zhvillimeve pozitive në turizëm.

Megjithatë pritet që zgjerimi në punësim në afatin e mesëm të jetë në nivele mjaft të moderuara, në reflektim të efekteve të kundërta të rritjes së shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës nga njëra anë dhe trendeve negative demografike nga ana tjetër.

Ministria e Financave pret që produktiviteti i përgjithshëm i punës të vijojë një përmirësim duke reflektuar lëvizjen e forcave të punës drejt sektorëve me produktivitet relativ më të lartë se të tjerët, ashtu edhe në reflektim të vijimit të përmirësimeve teknologjike ekonomike.