Zv/presidentja e SHBA-së Harris falënderon presidenten Osmani për strehimin e afganëve në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi bisedë telefonike me zv/presidenten e SHBA-së Kamala Harris, për partneritetin dhe raportet midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, presidentja Osmani i ka shprehur zv/presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja dhe ka ritheksuar se SHBA-ja mbetet partner kryesor strategjik i Kosovës në procesin e konsolidimit të shtetësisë.

Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast presidentja kosovare e falënderoi edhe njëherë SHBA-në dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500 mijë vaksinash.

“Një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së pareshtur të SHBA-së për vendin tonë”, tha Osmani.

Zv/presidentja Harris theksoi se SHBA është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë.

Harris Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis administratës Biden dhe popullit të Kosovës.

Gjatë bisedës, Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonisë nga ana e presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III.