Zoran Zaev: Romët janë pjesë e jetës së përditshme të Maqedonisë sonë të përbashkët

"Të nderuar bashkëqytetarë romë, ju jeni pjesë e jetës së përditshme të Maqedonisë tonë të përbashkët, po aq sa gjuha rome është pjesë e jetës suaj të përditshme", tha Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me rastin e Ditës Botërore të Gjuhës Rome të shpallur nga UNESCO, deklaroi: “Urime na qoftë Dita botërore e gjuhës rome, e jo urime ju qoftë, sepse shoqëria e barabartë për të gjithë është parimi bazë i programit të koalicionit qeveritar dhe është vlera jonë e përbashkët”, raporton Anadolu Agency (AA).

Zaev theksoi se si qeveri janë të gatshëm që Republika e Maqedonisë me të vërtetë të njihet nga bota si një shoqëri gjithëpërfshirëse e bazuar në pranimin dhe festimin e diversitetit, në thelb, e jo vetëm në mënyrë deklarative.

“Them urime na qoftë sepse arsyeja për festimin e veçantisë tuaj është edhe arsye për të festuar edhe ne. Të nderuar bashkëqytetarë romë, ju jeni pjesë e jetës së përditshme të Maqedonisë tonë të përbashkët, po aq sa gjuha rome është pjesë e jetës suaj të përditshme”, tha Zaev.

Në fjalimin e tij, ministri i Kulturës Asaf Ademi tha se pa gjuhë nuk ka histori, letërsi, arsim dhe nuk ka mundësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të një kombi.

“Ajo është një pjesë e pandashme e identitetit të komunitetit rom, i cili, së bashku me kulturën e pasur, është pjesë përbërëse e historisë së vendeve të rajonit”, tha Ademi.

“Ju uroj qëndrueshmëri në ruajtjen dhe kultivimin jo vetëm të gjuhës, por edhe të kulturës, traditës, zakoneve që ju dallojnë nga të gjitha komunitetet e tjera”, tha ministri Ademi dhe shtoi:

“Komuniteti rom në Republikën e Maqedonisë është në fakt një komunitet shtetëror. Ky komunitet kontribuon në ndërtimin e vendit tonë, ashtu edhe shteti ua kthen në mënyrë të barabartë pasi kujdeset për të gjithë qytetarët e tjerë”, tha ai.

Deputeti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Samka Ibraimoski, tha se gjuha rome quhet Romaniçip (romani chip) dhe kjo është e vetmja mënyrë që lidh romët pavarësisht se ku janë romët dhe prej nga vijnë.

“Gjuha e një kombi është e vetmja mënyrë për të ruajtur identitetin dhe për të unifikuar një komb. Me gjuhën tregojnë se cila është trashëgimia e tyre etniko- historike dhe nga vijnë ata”, tha Ibraimoski.

Në shënimin e Ditës botërore të gjuhës rome fjalim ka mbajtur edhe deputeti në Kuvendin e Republikës së Kroacisë, Velko Kajtazi.

Përndryshe, 5 Nëntori – Dita Botërore e Gjuhës Rome, është shpallur në vitin 2015 nga UNESCO ndërsa me aktivitete të ndryshme informativo-edukative shënohet edhe në Maqedoni nga institucionet përkatëse dhe OJQ-të Rome.

Sipas përfaqësuesve politikë romë në Maqedoni, numri i romëve në Evropë është midis 12 dhe 15 milionë ndërsa në më shumë se 60 për qind të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore, flitet gjuha rome.

Gjuha rome njihet si gjuhë e pakicës në Maqedoni, Serbi, Slloveni, Hungari, Gjermani, Rumani, Rusi, Norvegji, Suedi dhe Finlandë.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 53.879 romë ose 2.66 për qind nga popullsia e përgjithshme në vend.

Disa organizata joqeveritare deklarojnë se numri i tyre është më i lartë për faktin se shumë romë nuk kanë karta identiteti dhe nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.