Zjarri në spitalin e Tetovës/ 14 viktima, angazhohen 5 prokurorë për të hetuar shkaqet! Qeveria maqedonase seancë të jashtëzakonshme

Tetova u përball një natë më parë me vdekjen e 14 pacientëve në spitalin COVID pas shpërthimit të zjarrit rreth orës 21:02.

Mbi 30 zjarrfikës me 7 makina kanë luftuar me flakët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e tyre për gjysmë ore.

Zjarrfikësi Sasho Trajçevski deklaroi se zjarri ka qenë shumë i madh dhe se nga spitali janë nxjerrë viktima.

Deri tani nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të zbardhur ngjarjen. Zjarri mendohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.

“Në ora 21 e 2 minuta kemi marr njoftimin se po digjet spitali modular në qendrën medicinale në Tetovë. Ekipet e zjarrfikësve për 3-4 minuta kanë arritur në vendngjarje me 7 makina dhe mbi 30 zjarrfikës. Megjithatë kur ekipet tona kanë arritur në vendngjarje, gjithçka ishte në flakë. Ne bëmë të pamundurën dhe në ora 21:30 minuta zjarri është shuar. Zjarri ishte shumë i madh sepse spitali modular ishte nga plastika”, deklaroi Sasho Trajçevski, zjarrfikës sipas Alsat.

Në vendngjarje ka shkuar menjëherë kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e cila me lot në sy përpara mediave u shpreh se dhimbja është shumë e madhe për ngjarjen.

E pyetur nëse ka lidhje shpërthimi me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi tha se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të lënduarit nga zjarri janë dërguar në Shkup.

“Zjarri tashmë është lokalizuar dhe të gjitha ekipet nga spitali janë mobilizuar që të ofrojnë ndihmë për të lënduarit. Ata urgjentisht transportohen në Shkup që t’u ofrohet kujdes adekuat, ekipet e Klinikës po mobilizohen. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe është në Tetovë. Pas ekspertizës në terren do të njoftojë publikun për gjendjen faktike”, thanë nga ministria.

Gjatë mesnatës kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe anëtarë tjerë të qeverisë, të cilët morën pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës në Tetovë, por asnjë prej tyre nuk u prononcua për incidentin.

Sipas Alsat, në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit. Sipas informacioneve, firma e cila ka kryer punët ndërtimore duhej t’i mënjanoj vërejtjet.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

Qeveria maqedonase ka lajmëruar se do të mbajë seancë të jashtëzakonshme pas tragjedisë së një nate më parë.

Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë sensibilizim dhe reagim të kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta, ministrave shqiptarë dhe anëtarëve të opozitës.