Situata në pyllin e Semanit, i cili u përfshi mesditën e djeshme nga zjarri, është drejt normalizimit.
Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i Fierit, Baki Bala duke informuar për situatën tha se “aktualisht është vetëm një vatër zjarri në zonën periferike të pyllit vetëm me përmbajtje shkurre”.
“Janë marrë masat dhe në të gjitha anët është pastruar vendi dhe është krijuar si ishull, duke mënjanuar në këtë mënyrë rrezikun për t’u shpërndarë zjarri”, – theksoi Bala.
Sipas tij, në pjesën tjetër nuk ka shkallë rrezikshmërie, megjithatë gjatë gjithë natës do të mbahet nën vëzhgim nëpërmjet forcave të caktuara për këtë qëllim.
“Kjo është faza përmbyllëse e këtij operacioni të suksesshëm dyditor, sepse si pasojë e zjarrit nuk pati djegie të kurorës së pishave, por vetëm rreth 6 ha sipërfaqe me shkurre”, – nënvizoi Bala.
Duke folur mbi detajet e këtij operacioni, Bala u shpreh se “operacioni për shuarjen e zjarrit u zhvillua në tri shkallë, sepse kishte forca të bashkisë, si përgjegjëse për menaxhimin e kësaj situate, forca nga struktura shtetërore e vendore të drejtuar nga prefekti i qarkut dhe së treti, forca të kërkuara në mbështetje nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila është në varësi të Ministrisë së Brendshme, si dhe helikopterët për shuarjen e zjarrit, po ashtu edhe forca ushtarake të pajisura për këtë qëllim”.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit, vijon Bala, sot kanë marrë pjesë 110 forca, 4 zjarrfikëse, dy autobotë, 60 forca ushtarake, dy automjete skrep për hapjen e rrugëve në zonat në pyll, si dhe forca të tjera nga bashkia, nga institucionet qendrore, zjarrfikëset policia e rendit, vendore etj.
Pylli i Semanit u përfshi mesditën e djeshme nga zjarri, ndërsa menjëherë në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse, si dhe një helikopter “Cougar” i Forcave Ajrore.