Zjarr në tregun më të madh të Kenias, 15 të vdekur

"Zjarri shpërtheu në një dyqan prej druri dhe më pas u përhap me shpejtësi në të gjithë kompleksin", tha komisioneri i policisë së Nairobit

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 70 të tjerë kanë pësuar lëndime në zjarrin që shpërtheu në tregun më të madh të hapur në Kenia, Gikomba, raporton Anadolu Agency (AA).

“Zjarri shpërtheu në një dyqan prej druri dhe më pas u përhap me shpejtësi në të gjithë kompleksin”, tha komisioneri i policisë së Nairobit, William Kang’ethe Thuku.

Në vendin e fatkeqësisë kanë dalë ekipet e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore.

Thuku tha se ekipet e shpëtimit deri më tani kanë nxjerrë trupat e 15 të vdekurve dhe se mes më shumë se 70 të plagosurve, ka më shumë me djegie të rënda.

Duke vënë në dukje se shkaku i zjarrit do të jetë objekt i një hetimi, Thuku tha se instalimet e këqija elektrike në vitet e mëparshme ishin shkaku më i zakonshëm i zjarrit në treg.

Millicent Omega është një nga pronarët e dyqaneve që u dogjën nga zjarri. “Humba gjithçka. Nuk di nga t’ja filloj, është djegur çdo gjë deri në dysheme”, tha Omega dukshëm e tronditur dhe me lot në sy.

Zjarrfikësit dhe ekipet e tjera përgjegjëse janë ende në terren dhe po kërkojnë personat e zhdukur.