Zidane: Nuk gëzoj për dëmtimin e Neymar, uroj të jetë në ndeshjen e kthimit!

Zinedine Zidane u shfaq në një konferencë shtypi, në prag të ndeshjes mes Real Madridit dhe Espanyol. “Ajo që ne duam, është të vazhdojmë të luajmë mirë. Në çdo ndeshje hyjmë për të fituar, të njëjtën gjë do të bëjmë përsëri. Çdo ndeshje fillon nga zero. Sfida me Espanyol është e fortë, por ne duam të bëjmë një lojë të mirë në një fushë të vështirë”, – tha francezi në lidhje me kundërshtarin e radhës”. Një pyetje edhe për numrin rekord të kartonëve të kapitenit të “Los Blancos”. Zidane përgjigjet: “Sigurisht, Ramos është kapiteni më i mirë që mund të ketë Real Madridi. Sergio nuk është i pasjellshëm, por një lider dhe njerëzit duan që ai të jetë kapiteni ynë”.
Në sfond dhe në mendjen e “Zizou”, patjetër që është kthimi me PSG-në, në 1/8 finale të Ligës së Kampioneve. Pas fitores 3-1 në “Santiago Bernabeu”, kampionët e Europës në fuqi shkojnë në kryeqytetin francez për të vulosur çerekfinalet. Duke komentuar dëmtimin e Neymarit, në këtë linjë, Zidane shton: “Nuk kam gëzim për asgjë. Unë nuk jam i kënaqur me lëndimin e Neymar. Përkundrazi, shpresoj se mund të jetë në lojë ndeshjen e kthimit. Unë kurrë nuk do të dëshiroj që një rival të dëmtohet”.
A po ndihet te lojtarët e tij afrimi i Kupës së Botës me ndonjë rezervim për të mos u dëmtuar? “Nuk ka asgjë negative, është shumë e bukur, kur pas një sezoni ke një Kupë Bote në fund. Ky është një gëzim për lojtarët”, – përgjigjet Zidane.

/telesport.al/