Zgjedhjet presidenciale në Kroaci, Milanoviç dhe Grabar-Kitaroviç në raundin e dytë

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidnciale në Kroaci do të garojnë kryeministri aktual Zoran Milanoviç i cili fitoi 29.54 për qind të votave dhe presidentja aktuale në detyrë Kolinda Grabar-Kitaroviç e cila fitoi 26.67 për qind të votave

Kandidati i Partisë Socialdemokratike (SDP) të Kroacisë, Zoran Milanoviç, sipas të dhënave jozyrtare ka fituar më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, kështu që në raundin e dytë që do të zhvillohet më 5 janar 2020, ai do të garojë kundër Kolinda Grabar-Kitaroviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) numëroi 95 për qind të votave në Kroaci dhe në 47 vende të botës, kandidati i SDP-së dhe ish-kryeministri kroat Zoran Milanoviç doli fitues me 29.54 për qind të votave, presidentja në detyrë Kolinda Grabar-Kitaroviç 26.67 për qind ndërsa Mirosllav Skoro 24.4 për qind të votave.

“Në këto dy javë që janë para nesh, do të luftoj që në zgjedhje t’i potencoj secilit dhe secilës se cili është interesi kroat në plan të parë, të jemi një bashkësi e mirë, solidare e qytetarëve, të gjithë njerëzit që jetojnë në Kroaci, të gjithë ata që ndoshta janë të ndryshëm, por janë të barabartë. E dua një shtet të të barabartëve!”, tha kandidati që fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Milanoviç.

Numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën dje në Kroaci ishte 3.854.747 votues, që është për 75.466 më shumë sesa në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Kroaci do të mbahet më 5 janar të vitit 2020.