Përgjimet e këngëtares Elsa Lila, një ndër të dyshuarit si e përfshirë në organizatën kriminale të trafikut të lëndëve narkotike që u zbulua pak ditë më parë në Itali, tregojnë se si ajo ndihmonte bashkëpunëtorët e saj.
Gazetari Thimi Samarxhiu ka siguruar për Gazeta Shqip dosjen e Gjykatës së Romës lidhur me dënimet e dhëna për bandën e trafikut të drogës të shkatërruar në Itali, ku në mesin e tyre ishin disa shqiptarë, përfshi dhe këngëtaren e famshme Elsa Lila.
Të gjithë shqiptarët e përfshirë në bandën e drogës janë: Petrit Bardhi, Arindi Boci, Glend Burhanaj, Elsa Lila, Gjino Lleshaj, Francesk Ndreka dhe Leonard Vacaj.
Në përgjimet e zbuluara nga autoritetet italiane, tregohen edhe bisedat e Elsa Lilës e cila përpiqet të ndihmojë Arind Bocin se si të evitojë kontrollet e policisë.
Lila madje i ofron edhe çelësat e shtëpisë së saj për t’u fshehur, duke qenë se ajo do largohej ca kohë për pushime, duke e përshkruar shtëpinë e saj si të sigurtë dhe se kishte pranë një rrugicë të ngushtë të vjetër, nga ku mund të largohej me shpejtësi në rast emergjence.
Pjesë nga përgjimet
Boci: Dhe i thoja atij idiotit, bëj kujdes, po nuk ma dëgjonte llafin… (flet për Gledin)
Elsa Lila: Kur të iki unë në gusht, do të jap çelësat e shtëpisë time, ke një dhomë, se në dhomën tjetër është Raina.
Boci: Merri merri çelësat se nuk i dua
Elsa: Po duhet të ndërrosh vend
Boci: Ok, po mos e marrë vesh njeri që do jem atje
Elsa: Ke dhe një rrugë aty për rast emergjencë, mund të dalësh pa probleme. Mbaje makinën afër
Në përgjimet e mëtejshme, Elsa Lila i flet Bocit për “pakon e Babagjyshit”, që në mënyrë jodirekte kishte të bënte me një kuti sigurie ku Boci ruante paratë dhe bllokun me llogaritë nga trafiku i drogës.
Elsa: Mos harro, ke dhe pakon e babagjyshit aty poshtë
Boci: Po, po e di
Elsa: E ke te ajo mobilja që e di vetë ti, mbrapa
Boci: Ok
Elsa: Mos harro
Boci: Jo, jo
Elsa: Është makthi im që është gjithmonë aty (dhe qesh)
Boci: Jo zemër jo, çdo gjë shkon mirë, e kemi pastruar shtëpinë, nuk kemi asgjë të jashtëligjshme në asnjë vend
Elsa: Nuk kam frikë nga Shteti, kam nga hajdutët
Boci: Po, ata janë problema
Elsa: Mua s’më vjen askush nga Shteti për të më kontrolluar, më njohin. Edhe një herë që më vunë gjobë, më thanë mos e paguaj, kështu që në shtëpinë time nuk vinë për kontrolle. O zemër, si mund të arrish të bësh mik ndonjë të Shtetit?
Boci: Si?
Elsa: Se kjo është zgjidhja
Boci: Po dhe po e gjeta, nuk i zë besë
Elsa: E di zemër që nuk i zë besë, por një mik në Shtet të hyn në punë. Si në Shqipëri, se të shpëton, qoftë kushdo nga qeveria. Të duhet një edhe këtu se dhe këtu ka njerëz që blihen.