Zbulohet fotografi e një të dyshuari të arratisur për sulmin në Istanbul, e shkrepur para simbolit të YPG-së

Policia turke ka shpërndarë një fotografi të Bilal Hassan-it, të dyshuarit të arratisur për shpërthimin në Istanbul dy javë më parë, të shkrepur para simbolit të organizatës terroriste YPG, degës së PKK-së në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Fotografia është zbuluar në kuadër të hetimeve, të cilat po vazhdojnë nën drejtimin e Kryeprokurorisë së Istanbul-it, lidhur me sulmin terrorist në rrugën Istiklal më 13 nëntor, ku humbën jetën 6 persona dhe u plagosën 81 të tjerë.

Në fotografinë e shpërndarë nga policia, shihet se i dyshuari Bilal Hassan mban të veshur një kostum kamuflazhi të përdorur nga organizata terroriste.

Në kuadër të hetimeve deri më tani janë ndaluar 59 të dyshuar, prej tyre 24 mbahen në paraburgim.

Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu dje njoftoi kapjen e vëllait të Bilal Hassan-it.