Xhixha “ngjyros” kryeqytetin bardheblu, Tirana mposht Partizanin në inferioritet

Derbi i parë i kryeqytetit për sezonin 2022/2023 në Abissnet Superiore, ngjyroset bardheblu. Tirana mposhti 2-0 Partizanin falë një dygolëshi të Redon Xhixhës, i cili kryeson renditjen e golashënuesve me 7 gola, ndërkohë që shkon në gjashtë numri i takimeve pa triumf në derbi për “Demat”.

Sfida e luajtur në “Air Albania” prodhoi gjithçka: penallti, kartonë të kuq, VAR dhe zemërim tifozësh, me ultrasit e kuq që goditën portierin Visar Bekaj, duke ndikuar që ndeshja të ndërpritej për disa momente në dy raste.

Abissnet Superiore
Java e gjashtë

PARTIZANI-TIRANA 0-2
(Xhixha 25′, 68′)

Tirana fitoi një penallti me ndihmën e VAR-it pas kontaktit në zonë mes Patrick dhe Matondos, të cilin arbitri Xhaja e akordoi të parregullt pasi u thirr teknologjia. Ekzekutimin nga pika e bardhë e mori përsipër Xhixha (25’), por Bekim Rexhepi kreu një pritje fantastike, duke mbajtur portën të paprekur.

Situata u përkeqësua për kampionët në fuqi në minutën e 37’. Bruno Lulaj u ndëshkua me karton të kuq pas kontaktit me Xhuliano Skukën, duke lënë Tiranën me dhjetë lojtarë, vendim që erdhi pas ndihmës nga VAR-i.

Tifozët e Partizanit në festë, por ata dhe lojtarët e ekipit të zemrës nuk i kishin bërë mirë llogaritë me Redon Xhixhën, i cili i ndëshkoi dy herë në vijim dhe u dhuroi bardhebluve një fitore madhështore.

Sulmuesi kurbinas mori një asist nga kapiteni Marsel Ismajlgeci në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, fitoi garën e shpejtësisë me Rexhepin dhe dërgoi topin në rrjetë. Partizani iu afrua disa herë barazimit në pjesën e dytë, por golin e gjeti sërish Xhixha.