Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare, ka pritur në një takim anëtarët e grupit të Punës, përgjegjës për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian (BE) me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç sqaron shërbimi për marrëdhënie me opinionin i Kuvendit të Maqedonisë, grupin e punës e përbëjnë ekspertë nga secili nga vendet anëtare të BE-së, që merren me çështje nga fusha e zhvillimit të përgjithshëm politik dhe ekonomik, procesin e stabilizimit dhe asociimit dhe Instrumentin financiar për ndihmë paraaderuese (IPA).
Gjatë takimit, thuhet më tej, anëtarët e grupit u interesuan për ngjarjet aktuale në Kuvendin e Maqedonisë pas mbajtjes së referendumit, për çka Xhaferi i informoi për rrjedhën e debatit për Propozimin për qasje në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë.
Pjesëmarrësit këmbyen mendime edhe për dinamikën e zbatimit të proceseve reformuese në fushën e gjyqësisë, të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës dhe luftën kundër korrupsionit. Nikoqirët kanë përshëndetur përkushtimin e institucioneve të BE-së për perspektivën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa anëtarët e grupit shprehën gatishmëri për përkrahje të plotë dhe ndihmë në rrugën e vendit kah anëtarësimi i plotfuqishëm.