Olta Xhaçka: Stabiliteti i Maqedonisë së Veriut, një nga kushtet kryesore për sigurinë e rajonit

“Nga sot i gjithë rajoni do të jetë më i sigurt, me më shumë stabilitet dhe unë jam e bindur se të gjithë së bashku do të mund të shohim drejt të ardhmes me më shumë optimizëm", tha Xhaçka

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, pas takimit në Shkup me zv/kryeministren dhe ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se vendi i saj e ka parë stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut si një nga kushtet kryesore për të garantuar sigurinë e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media të mbajtur në godinën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me ministren Shekerinska, Xhaçka tha se nënshkrimi i protokollit për anëtarësim në NATO nga Maqedonia e Veriut është një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë Ballkanin. Ajo theksoi se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë ndaj fqinjëve të saj në procesin e integrimeve ka qenë një nga objektivat strategjik të politikës së jashtme të vendit.

“Nga sot i gjithë rajoni do të jetë më i sigurt, me më shumë stabilitet dhe unë jam e bindur se të gjithë së bashku do të mund të shohim drejt të ardhmes me më shumë optimizëm. Shqipëria e ka parë gjithmonë stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut si një nga kushtet kryesore për të garantuar sigurinë e rajonit”, deklaroi Xhaçka.

Xhaçka shprehu mirënjohje për marrëveshjet e arritur të Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje, siç tha ajo, për “guximin që treguat gjatë këtyre negociatave delikate”.

“Arritja e marrëveshjes për emrin me Greqinë, por edhe miratimi i ndryshimeve ligjore që realizuan një nga pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, atë të përdorimit të gjuhës shqipe si një nga gjuhët zyrtare të Maqedonisë së Veriut janë padyshim vendime që kërkojnë shumë guxim dhe shumë lidership vizionar. Unë ndihem shumë mirë që faktori shqiptar, ai politik dhe qytetar luajti një rol aq konstruktiv duke u kthyer në një nga promotorët e këtyre zhvillimeve dhe arritjeve të jashtëzakonshme që kemi shënuar në muajn e fundit”, theksoi Xhaçka.

Ndërkaq, ministrja Shekerinska, nga ana e saj, vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për vendin e saj gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht për anëtarësimin në NATO.

“Më vjen mirë që këtë vit dhe vitin e kaluar jo vetëm fjalët, por edhe veprat treguan se dy vendet tona janë miq të vërtet, dinë vërtet të respektohen dhe dinë që në momentet më të rëndësishme të japin mbështetjen e plotë. Shqipëria atë e bëri me mbështetjen e vazhdueshme të anëtarësimit tonë në Aleancë, por edhe me reagimin jashtëzakonisht të shpejtë kur më 14 shkurt të këtij viti, si vend i tretë menjëherë pas Greqisë dhe Sllovenisë, ratifikoi protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Ashtu veprojnë vetëm miqtë e vërtet dhe aleatët e mirë”, deklaroi Shekerinska.

Duke iu referuar bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, Shekerinska theksoi se rajoni nuk është ashtu siç ishte para dhjetë apo njëzet viteve, sepse siç tha ajo, “vendet deri më tani më të afërta gjeografike janë bërë miqtë tanë më të afërt”.

“Fakti se fqinjët tanë të parë, vendet nga rajoni, Greqia, Shqipëria, Bullgaria, Sllovenia, të parët ratifikuan anëtarësimin tonë në NATO, tregon se vlerat e NATO-s janë vlerat tona. Dimë të bashkëpunojmë, dimë të respektohemi dhe dimë të japim mbështetje, sepse kur kemi probleme dhe ballafaqohemi me çështjet më të vështira fqinjët janë të parët që mund të veprojnë në ndihmë”, tha Shekerinska.

Xhaçka qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ajo u prit nga Shekerinska me nderime ushtarake para godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa më pas u drejtuan në takimin me kryeministrin Zoran Zaev. Pasdite, Xhaçka do të pritet në takim edhe nga kryeparlamentari i vendit, Talat Xhaferi.