Vuçiq u bën thirrje serbëve të Kosovës të “protestojnë në mënyrë paqësore”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas demonstratave dhe trazirave në veri të Kosovës, ka deklaruar se Serbia do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen, si dhe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dëshiron “ta çojë gjithë rajonin deri në gjakderdhje”, raporton Anadolu.

– Tensione në Zveçan të Kosovës, KFOR-i shpërndan turmën e protestuesve

Fjalimin në konferencën për media në Pallatin e Serbisë, presidenti Vuçiq e nisi me një akuzë të rënda ndaj kryeministrit Kurti.

“Edhe pse kemi muaj që themi se Albin Kurti ka vetëm një dëshirë, të shkaktojë konflikte në Kosovë, të çojë në gjakderdhje të gjithë rajonin, pak kush deshi të dëgjojë të vërtetën, pak kush deshi të kuptojë thelbin e gjithçka që po ndodh atje”, tha Vuçiq, duke pretenduar se “Kurti është i vetmi fajtor”.

Vuçiq tha se ka përcjellë në mënyrë kronologjike ngjarjet e sotme në veri të Kosovës dhe sipas tij, serbët atje “sot në çdo mënyrë kanë treguar se nuk janë pro dhunës”.

Sipas tij, në veri të Kosovës sot kanë kërkuar ndihmë 52 serbë të plagosur dhe 41 pjesëtarë të KFOR-it, kryesisht nga kontingjentet hungareze dhe italiane.

Vuçiq po ashtu zbuloi se tashmë kanë dislokuar forcat në përputhje me situatën dhe se forcat serbe ndodhen në vendet ku mendojnë se është e nevojshme.

“Sonte do t’i vizitojmë disa vende… nuk do të lejojmë pogromin e popullit serb”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se një takim me vendet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja).

“U bëj thirrje serbëve të Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n, jo se kemi frikë, por se këtë e dëshiron më së shumti Kurti. U bëj thirrje të protestojnë në mënyrë paqësore, ashtu siç bënë sot. Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen, por nuk do të lejojmë persekutimin e popullit tonë në Kosovë”, tha presidenti serb.

Ai po ashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të llogarisin përgjegjës kryeministrin Kurti, duke shtuar se, “Nëse nuk e bëjnë këtë, kam frikë se do të jetë vonë për të gjithë ne. Nëse pushtuesi shqiptar gjuan, atëherë gjithçka do të jetë ndryshe”.