“Vrasja e shumëfishtë e Selenicës ishte një makabritet tronditës, për të cilin u reagua menjëherë; u ndalua autori dhe drejtësia ka nisur procesin ligjor”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur një komentuesi në rrjetet sociale, i cili kërkonte shpjegime se përse kreu i qeverisë nuk kishte bërë asnjë reagim për ngjarjen e Selenicës.
“E kam parë këtë koment të përsëritur nga keqdashës të njohur botërisht a komentatorë të irrituar pafajësisht. Të parëve s’kam ç’u bëj, vesi do t’u dalë me shpirtin. Të dytëve u them dashamirësisht se janë gabim! S’ka bërë e s’bën vaki që shteti a kryeministri qoftë, të dërgojnë ngushëllime për krimin e vrasjes. Sepse familjarët e viktimave të një krimi, nuk presin fjalë ngushëllimi nga shteti a nga kryeministri, po reagim, ndalim e ndëshkim të vrasësve”, shkruan Rama.
Fatkeqësisht, shprehet Kryeministri, krime të tilla ndodhin kudo në botë dhe s’ka shtet që i ka ndaluar dot.
“Po përtej të gjitha fjalëve, shteti e bëri detyrën e vet pa humbur kohë dhe kjo s’duhet harruar teksa tirren llafe që i merr era”, thekson Rama./ATSH