Vrasja e Shkëlzen Kastratit/ Kamerat zbulojnë gjithçka, shoqërohet në polici pronari i mjetit që u larguan ekzekutorët

Makina që dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja pas vrasjes së Shkëlzen Kastratit, është gjetur dhe sekuestruar në Kamëz. Ajo rezulton të jetë e vjedhur në Greqi, ndërsa mbetet e paqartë se si është futur në territorin shqiptar.

Policia ka bërë shoqërimin e pronarit të saj, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Mjeti i sekuestruar sot në Kamëz dyshohet të jetë përdorur nga autorët për tu larguar nga vendngjarja, pas djegies së mjetit tip Range Rover në Mbrostar.

Kujtojmë se viktima Shkëlzen Kastrati, i cili u ekzekutua mëngjesin e kësaj të hëne në kryqëzimin e Sheqit në Fier, nuk rezulton një person me precedent të mëparshëm penal.

Hetuesit dyshojnë se kjo vrasje ka ndodhur për hakmarrje, por për llogari të të vëllait, madje disa dyshime janë që atë edhe mund ta kenë ngatërruar me vëllanë e vet. Po ashtu, nga këqyrja e bërë mbi trupin e 42- vjeçarit Shkëlzen Kastrati, janë konstatuar 10 plagë plumbash.

Ai që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme, është plumbi që e preku në kokë, ndërsa plumbat e tjerë janë shpërndarë nëpër makinë për shkak të trysnisë që dyshohet të ketë pasur autori, por edhe se mjetet kanë qenë në ecje.

Sipas një dinamike të ndërtuar nga Policia, dyshohet se mjeti nga ku u qëllua në drejtim të Kastratit ka qenë pas viktimës, duke e ndjekur atë sapo ka dalë nga shtëpia. Vetëm në rotondon e Sheqit ku rrugët ngushtohen dhe qarkullimi rëndohet për shkak të rrethrrotullimit, autorët e kanë parë të arsyeshme të ndërhynin.

Pasi kanë qëlluar dhe janë siguruar që e kanë vrarë, ata kanë vijuar në drejtim të “Vijës së Ngjalës” për të dalë në nyjën lidhëse me autostradën. Më pas, ata kanë hyrë në zonën e “Bypass”-it dhe janë kthyer në mbikalimin e Baltëzës. Aty kanë djegur “Range Rover”-in dhe janë larguar më tej me automjet tjetër.

Duke studiuar mënyrën sesi vrasja është kryer, autorët janë treguar të kujdesshëm që të mos lënë pas gjurmë, duke bërë që me shumë gjasa, ky krim ti shtohet atyre që kanë mbetur në vite të pazbardhur.