Vrasja e gjeneralit të lartë çon SHBA-të dhe Iranin drejt përplasjes

Komandanti i forcave elitare iraniane Kuds, Qasem Soleimani u vra në sulmet ajrore të SHBA-së të premten

“Porosisni arkivole për ushtarët tuaj”, shkroi një përdorues iranian i Twitterit nën postimin në Twitter të Presidentit amerikan, Donald Trump, në orët e së premtes ndërsa lajmet për vrasjen e komandantit të lartë ushtarak të Iranit shkaktuan valë tronditëse në të gjithë rajonin, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në një sulm amerikan me dron mbeti i vrarë gjenerali Qasem Soleimani, kreu i forcës elitare Quds të Iranit dhe Abu Mahdi al-Muhandis, një komandant i lartë i Irakut i Hashd al-Shaabi ose Njësive Popullore të Mobilizimit (PMU).

SHBA tha se ajo vrau Soleimanin sepse ai “po zhvillonte në mënyrë aktive plane për të sulmuar diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe në të gjithë rajonin”.

Lajmi tërhoqi reagime të zemëruara nga të gjitha fraksionet politike në Iran. Deklaratat e dënimit po përhapen që në fillim të së premtes në mëngjes, kurse ceremonitë e zisë po zhvillohen në pjesë të ndryshme të vendit.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili dekoroi Soleimanin me nderin më të lartë të vendit vitin e kaluar, lëshoi një deklaratë të gjatë, ku tha se një “hakmarrje e rëndë” do të pasojë vrasjen e tij. Ai shpalli tre ditë zi kombëtare në Iran.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, e cilësoi sulmin ndaj forcës më efektive që lufton DEASH-in, Al-Nusran dhe Al-Kaedën “një përshkallëzim të marrëzisë” dhe paralajmëroi që SHBA “mban përgjegjësi për të gjitha pasojat e aventurizmit të saj të çmendur”.

Këshilltari i Presidentit Hassan Rouhani, Hesamedin Ashena paralajmëroi se kushdo që kapërcen “vijat e kuqe” të Iranit, duhet të jetë “i përgatitur të përballojë pasojat” duke lënë të kuptohet një sulm të mundshëm nga Irani.

Gjatë ditëve të fundit, nga sulmi vdekjeprurës i SHBA-së mbi një grup militantësh të mbështetur nga Irani në Irak dhe Siri, tensionet janë ngritur midis dy kundërshtarëve. Soleimani, sipas burimeve, kishte mbërritur në Bagdad vonë të enjten nga Siria, për ta parë nga afër situatën.

Figura e lartë ushtarake në rajon, e cila ishte kritikuar në Perëndim, kishte shpëtuar nga shumë përpjekje vrasjesh në të kaluarën. Këtë herë, megjithatë, ai nuk ishte aq me fat. Sulmi i së premtes ishte fatal duke e lënë të vrarë atë disa momente pasi kishte zbritur në Bagdad dhe u përshëndet me shokun e tij të Muhandis.

– Iraku është në gatishmëri të lartë

Vetëm disa ditë më parë, sulmet e SHBA-së ndaj grupit të milicisë Kataib Hezbollah të mbështetur nga Irani në Irakun perëndimor dhe Sirinë lindore, i cili vrau të paktën 25 luftëtarë, i kishte futur Iranin dhe SHBA-në drejt një përplasjeje.

Sulmet shkatërruese kundër këtij grupi që u akuzua për kryerjen e vrasjeve jashtëgjyqësore në Irak para se të merrnin pjesë në operacionet anti-DEASH në vend, ishte sulmi i parë i madh nga SHBA-të ndaj një grupi të lidhur me Iranin që nga tërheqja e trupave amerikane në vitin 2001.

Pas sulmit, ambasada e SHBA-së në Bagdad u sulmua nga një turmë e madhe protestuesish të zemëruar të martën, duke çuar në një përplasje dy-ditore midis ushtarëve amerikanë dhe protestuesve.

Të mërkurën, Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Twitter një mesazh kërcënues ndaj Iranit duke thënë se “ai do të paguajë një çmim shumë të madh” për çdo humbje jete ose dëmtimi të objekteve të SHBA-së. Pas 24 orë kur protestuesit u tërhoqën nga Ambasada e SHBA-së në Bagdad, një sulm me dron shënjestroi automjetin në të cilin ndodhej Soleimani.

Kryeministri i Irakut, Adel Abd al-Mahdi, i cili bëri thirrje për seancë urgjente të parlamentit, e quajti sulmin “një agresion kundër Irakut, popullit dhe shtetit”. “Vrasja është një shkelje e qartë e kushteve të pranisë së forcave amerikane në Irak”, tha ai në një deklaratë.

Kleriku me ndikim në Irak Sayid Moqtada al-Sadr lëshoi një deklaratë ku shprehte ngushëllime për Iranin dhe urdhëroi Ushtrinë Mahdi të ishte “plotësisht e gatshme për të mbrojtur Irakun”. Disa ditë më parë, ai u citua duke thënë se do të nisë një fushatë për të dëbuar forcat amerikane nga Iraku.

Duke pritur hakmarrje të mundshme, qeveria amerikane ka lëshuar një këshillë për qytetarët e saj që të largohen “menjëherë” nga Iraku dhe të pezullojnë të gjitha aktivitetet konsullore në Bagdad.

“Kjo (vrasje e Soleimanit dhe Muhandis) ka çuar konfliktin e fundit SHBA-Iran në një nivel tjetër, duke e vendosur Irakun në qendër të luftës”, shkroi në Twitter Abbas Kadhim, një anëtarë i lartë në Këshillin Atlantik.

– A do të godasë Irani? 

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit do të zhvillojë një takim urgjent për të diskutuar çështjen. Burimet thonë se zërat e moderuara të cilët kishin bërë thirrje për përmbajtje do të detyrohen të ulin kokën.

“SHBA ka ri-shkruar rregullat e angazhimit dhe ka ekspozuar çdo avion amerikan në terren në Lindjen e Mesme ndaj sulmeve të mundshme hakmarrëse”, tha Ellie Geranmayeh, anëtare e Lartë në Këshillin Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë.

Syed Mohammad Marandi, komentator i lartë i cili ishte pjesë e ekipit që negocioi marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe Perëndimit, thotë se do të ketë “një çmim të madh për të paguar” për këtë “akt lufte” kundër dy zyrtarëve të rangut të lartë të Iranit dhe Irakut.

“Unë nuk mendoj se prania amerikane në Irak është më e qëndrueshme. Ata do të dobësohen shumë nga ky akt dhe ata i dhanë Iranit arsyetimin për të ndëshkuar SHBA dhe aleatët e tij. Nëse do të isha një qytetar amerikan, do të përpiqesha të largohesha nga rajoni sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.