Nga ngjarja e rëndë që tronditi Gramshin, ku një fëmijë 15 vjeçar humbi jetën si pasojë e një sherri mes nxënësve, ka reaguar e tronditur edhe shkolla 9-vjeçare “Asllan Shahini”, në një postim në Facebook.
Ata sqaruan se sherri nisi si pasojë e një konfliki banal në rrjete sociale, ku në fakt Fationi i cili vdiq nga plagët e marra me thikë, u ndodh rastësisht aty, pasi ishte kushëriri i tij i përfshirë në këtë situatë.
Fationi, në përpjekje për t’i ndarë nuk mundi t’i mbijetojë plagëve në spital, ndërsa kushëriri i tij M. L., është plagosur. Katër të miturit e tjerë janë arrestuar.
“Jemi thellësisht të tronditur, nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot në qytetin tonë, në të cilën humbi jetën Fationi, nxënës në klasën e IX.
Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojën e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV, e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi.
Në mes të lagjes, në mes të ditës, moshatarë të tij, nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktohen për biseda banale në rrjetet sociale, dhe konflikti kthehet në tragjedi…
Fationi u ndodh rastësisht aty, duke mos qenë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërm i tij. Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal.
Fationi u nis sot drejt Parajsës…Do na mungosh të gjithëve,Fation i dashur! Të qoftë dheu i lehtë, o engjëll”, shkruan në postim, shkolla 9-vjecare “Asllan Shahini”.