Në një fjalim të mbajtur në aeroportin Esenboğa të Ankarasë para nisjes për në Paris të Francës, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi deklaroi se “Vrasësit janë padyshim brenda këtyre 15 ose 18 personave, nuk ka nevojë të kërkohen në ndonjë vend tjetër”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Deri më tani ne nuk posedojmë ndonjë dokument, apo provë në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggit, por ne kemi informacione. Çfarë është informacioni? Që nga fillimi e kam thënë se në Turqi kanë ardhur 15 persona ku aktualisht në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar 18 persona. Këto 15 apo 18 personat padyshim që e dinë se kush është autori dhe se ku ndodhet trupi. Edhe më parë këtë e kam thënë”, tha Erdoğan për të shtuar:
“Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite bëri një deklaratë të cilën tani e mohojnë. Thanë se ‘nuk e kemi bërë ne‘. Në deklaratë kanë thënë se ‘këtë e kemi kryer me bashkëpunëtorët lokalë dhe ua kemi dorëzuar atyre‘. Për këtë unë parashtrova pyetjen se kush janë këta bashkëpunëtorë lokalë? Këtë duhet ta deklaroni sepse ju jeni ata që jeni në dijeni. Nëse nuk jeni në dijeni këtë e dinë më mirë këta 15 persona, kush është vrasësi apo vrasësit”, theksoi Erdoğan duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi i cili u zhduk pasi hyri më 2 tetor në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
Presidenti Erdoğan tha se zërat, bisedat, ia kanë dhënë që t’i dëgjojnë edhe Arabisë Saudite, SHBA-ve, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. “Nuk është e nevojshme që kjo të shtrembërohet. Kategorisht vrasësit janë brenda këtyre 15 personave. Ata e dinë këtë dhe qeveria e Arabisë Saudite do të arrijë ta zbulojë këtë duke bërë që këta 15 persona të flasin”, tha presidenti turk.
Erdoğan tha se me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron do të zhvillojë këtë udhëtim në Paris për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 100 vjetorit të marrëveshjes së armëpushimit i cili i dha fund Luftës së Parë Botërore.
Duke uruar që të japë një mesazh për të gjitha vendet, ceremonitë që do të zhvillohen me rastin e përfundimit të një prej luftërave më të përgjakshme të një shekulli më parë, Erdoğan tha: “Besoj se kanë një rëndësi të madhe këto aktivite të zhvilluara në një periudhë kur gjakderdhja është bërë lumë në rajonin tonë duke filluar nga Siria e deri në Jemen. Sepse në të vërtetë sot shohim nga shumë afër, ku për fat të keq, pozita gjeografike ku ndodhet dhe vendi ynë në shumë aspekte, jemi dëshmitarë të skenave, planeve, lojërave dhe mizorive shumë të këqija që na rikujtojnë më shumë përjetimet gjatë Luftës së Parë Botërore”.
“Sot në Siri ka arritur në 1 milion numri i të vdekurve pavarësisht se kjo fshihet. Sigurisht, sipas nesh, historia është mbi të gjitha një provë. Detyra e njeriut është të nxjerrë mësim nga gabimet që të marrë masat e të mos i përjetojë më ato. Ne ashtu sikurse edhe një shekull më parë kemi patur një qasje me këto parime në rajonin tonë. Ashtu si në të kaluarën edhe sot ne tregojmë përpjekje për paqen, qetësinë, vëllazërinë dhe ndërtimin e stabilitetit në rajonin tonë”, deklaroi Erdoğan.
Ai ka dhënë informacionin se gjatë vizitës së tij në Paris mund të zhvillojë një takim me presidentin e SHBA-ve Donald Trump nëse do të gjejnë mundësinë, duke rikujtuar se pak kohë më parë me homologun amerikan kanë zhvilluar një bisedë telefonike.