Votimet në Preshevë, synohen 3 vende në parlament

Në ora 07:00 janë hapur 38 njësitë e votimit në Komunën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë...

Në ora 07:00 janë hapur 38 njësitë e votimit në Komunën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Mbi 41 mijë qytetarë kanë të drejtë vote nga kjo komunë, por në orët e para numër i vogël i qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit. Agim Ymeri, koordinator i trupit punues, për KosovaPress tha se përveç një qendrës që ka pasur disa probleme, të tjerat janë hapur në orën 7:00. Ai tha se deri më tani një numër i vogël i qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.

Ymeri: Ende është herët, por është numër i vogël i votuesve

“Në komunën tonë janë 38 njësi, të gjitha janë hapur në ora 7, përpos në një për shkak të largësisë nga qendra dhe komisionerët pak me vonesë kanë arritur, por sido që të jetë edhe ajo njësi pak me vonesë por është hapur. Deri më tani përqindja nuk mund të flasim me përqindje se ende është herët, ende është herët por dua të them është numër i vogël, por shpresojmë brenda ditës të dalin…Deri më tani nuk ka, përpos disa problemeve teknike, mungesa e ndonjë materiali, mirëpo ato janë evituar”, raporton Top Channel.

Ai tha se beson se më vonë do të ketë numër më të madh të qytetarëve që do të votojnë.

Ymeri: Në komunën tonë janë gjithsej 41 mijë e 323 votues

“Sipas shënimeve të fundit në komunën tonë janë gjithsej 41 mijë e 323 votues…Duke pasur parasysh rëndësinë e deputetit popullor shpresojmë që përqindja do të jetë e lartë. Aktivitetet janë mbajtur, probleme nuk ka pasur dhe shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë”
Një nga votuesit e pakët në objektin e Komunës së Preshevës ishte pensioneri Fehmi Shabani, i cili tha se pret që të votohen shqiptarët dhe të kenë numër më të madh të deputetëve në Kuvendin e Serbisë.

Shabani: Pres të marrim më shumë deputet shqiptarë në Kuvendin e Serbisë

“Nga këto zgjedhje presim që të marrim më tepër deputetë në Kuvendin e Serbisë”

Në tri komunat jugore të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, partitë shqiptare garojnë në një listë të përbashkët. Partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, arritën marrëveshje për të shkuar me një listë zgjedhore në fillim të këtij viti. Përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë deklaruar se synojnë të fitojnë tri vende në Parlamentin e Serbisë.