Abdurrahman Fangaj e gjen shumë shpejt “shtëpinë” e re në Kategorinë Superiore.
Mbrojtësi 22-vjeçar, i cili vetëm pak ditë më parë shpalli “divorcin” me Laçin, pas katër sezonesh të suksesshme në klubin kurbinas, bëhet përforcimi i radhës i Vllaznisë. Në fakt, sikurse njoftohet nga klubi shkodran, palët kanë nënshkruar parakontratë, pasi futbollisti ështe ende në fazën e riaftësimit për shkak të një dëmtimi serioz. Kontrata, e cila do të jetë e vlefshme për 3 vjet, do të hyjë në fuqi në janar. Në njëfarë mënyre, duket se gjatë muajve të ardhshëm do të jetë një periudhë prove për futbollistin, për të treguar se po i hedh pas krahëve problemet fizike dhe është i denjë për fanellën e Vllaznisë, të cilën e ka veshur para se të transferohej te Laçi.
Njoftimi i Vllaznisë
“Rikthehet në shtëpine kuqeblu. Firmos me Vllazninë për 3 sezonet e ardhshme.
Pas disa sezonesh aktivizimi në radhët e Laçit, tashmë 23-vjeçari do të jetë pjesë e Vllaznisë.
Lojtari është në fazën e rikuperimit pas një ndërhyrje kirurgjikale që ka bërë kohët e fundit dhe për këtë arsye sot ka firmosur një parakontratë me klubin tonë e cila do të hyjë në fuqi në janarin e vitit të ardhshëm.”