Vllaznia ende pa busull, privatizimi i klubit ende enigmë

Vllaznia pa busull, “misteret” e mbledhjes së këshillit bashkiak

Vllaznia në “stand-by”. Edhe pse ka kaluar një muaj nga rënia tragjike e skuadrës mmë të vjetër shqiptare nga kategoria. Në klub, përveç largimit të drejtuesve, nga administratori deri te Bordi i ri Mbykqyrës, mungojnë lëvizjet konkrete në të gjitha drejtimet.

Nuk ka analizë të thellë për shkaktarët e rënies, privatizimi i klubit është një histori që zvarritet prej kohësh, mungon trajneri i sezonit të ri, por mbi të gjitha mungon skuadra.

Thuajse të gjithë lojtarët kërkojnë largimin, madje disa akuzojnë se kanë muaj që nuk janë paguar dhe kërcënojnë me gjyqe te FIFA.

Këtë të martë në Bashki do të zhvillohet mbledhja e këshillit bashkiak, e cila në parim duhej të vendoste pikat mbi “i” për gjithçka ndodhi, por edhe të përcaktonte piketat për drejtimin e ri të klubit, nga sezoni ku synohet rikthimi i menjëhershëm në elitë, e deri te çështja më e rëndësishme që lidhet me privatizimin e Vllaznisë.

Megjithatë, në rendin e ditës, në pjesën që lidhet me klubin kuqeblu, ekziston vetëm një pikë: ajo që lidhet me miratimin e pasqyrave financiare të klubit.

Për çështjet më emergjente dhe për të ardhmen e klubit, asgjë. Duke qenë se Vllaznia është një temë e ndjeshme në Shkodër, diskutimet duket të pashmangshme, megjithatë vështirë se ka elementë që mund të miratohen.

Rasti më konkret është çështja e privatizimit, e cila pritet të jetë një prej temave që mund të diskutohet, pas përcaktimit të çmimit të klubit ku ankandi fillon nga 500 milionë lekë, megjithatë vendimi përfundimtar rrezikon të zgjasë edhe disa muaj.

Burokracitë vijojnë të ndikojnë në funksionimin normal të klubit të futbollit, ku luksi i kohës dhe i pritjes nuk ekziston, dhe që rrezikon ti shkaktojë të tjera problleme Vllaznisë./SS