Vlera e pagesave me kartë u rrit me 45% vitin e kaluar, arrijnë rekord

Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike, si në numër, ashtu edhe në vlerë transaksionesh.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2022 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 10.7 milionë, me një rritje prej 35.5% krahasuar me një vit më parë. Rritja ishte edhe më e lartë në vlerë transaksionesh, që vitin e kaluar arriti në 50.6 miliardë lekë, 45% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Për vitin 2022, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 13.9% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 11.45% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.

Një faktor që po nxit rritjen e pagesave me kartë është zgjerimi bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave ma kartë në fund të vitit të kaluar arriti në 16 227, në rritje me 18.1% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.

Në disa vende të Bashkimit Europian, qeveritë kanë vendosur detyrimet që bizneset të pranojnë pagesa me kartë, pikërisht si një mënyrë për të luftuar evazionin fiskal. Një masë të tillë e vendosi vitin e kaluar Italia, ndërsa më herët e kishin ndërmarrë edhe Greqia apo Hungaria.

Një kërkesë e tillë është artikuluar në vitet e fundit në Shqipëri nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Shoqata ka kërkuar që bizneset në Shqipëri të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike. Shoqata e Bankave ka nënvizuar se qeveria shqiptare nuk po bën përpjekje të mjaftueshme për të ulur përdorimin e parasë cash në ekonomi.

Pagesat me kartë e bëjnë më të vështirë fshehjen e të ardhurave, ndaj shumica e tregtarëve të vegjël nuk preferojnë të pranojnë pagesa në këtë formë. Një arsye tjetër mund të jenë edhe kostot e lidhura me pranimin e pagesave me kartë, por në këtë pikë bankierët besojnë se rritja e përdorimit të POS-eve do të krijonte përfitimeve nga ekonomitë e shkallës, duke ulur kostot fikse për bankat dhe rrjedhimisht edhe tarifat për bizneset që pranojnë pagesa me këto terminale.

Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.37 milionë, në rritje me 3.8% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.18 milionë, në rritje vjetore me 4.3%.

Ky produkt ngelet dominues dhe përbën mbi 86% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.

Ndërkohë, produkti tjetër konsumator, ai i kartave të kreditit, as vitin e kaluar nuk iu rikthye dot ritmeve të rritjes së periudhës para pandemisë. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte 112 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej vetëm 0.2%./E.Shehu