Virtytshmëria brënda modelit politik

Nga Redi Shehu

Si gjithmonë, asfalti ngeli balsami më i mirë për psikozën shqiptare. Me efektin e tij prej
mastiçi ka ngjitur pandashëm botëkuptimin dhe votën e zgjedhësit me politikanin apo
forcën politike që nxin sa më shumë rrugë. Në formën e një hipnoze bitumi që
aktivizohet sa herë shfaqen kriza politike apo sa herë që shqiptari ndodhet para një
kutie plastike të tejdukshme me kapak, gjenerata e fundit e legenit, për të hedhur fletën
e votimit e cila pëson një skanim me rezonacë politike, maxhoranca duket se ka gjetur
që të asfaltizoje për të pafundmen herë përceptimin publik.

Dashuria jonë me asfaltin ka kaluar caqet e romanticizmit por gjithashtu ka kaluar edhe
caqet e logjikës dhe pragmatizmit. E gjithë situata aktuale shqiptare ka prodhuar një
politikë skiç në raport me mbarëvajtjen e institucioneve të zgjedhura.

Humbja më e madhe gjatë gjithë adoleshencës tonë në kërkim të shtetit të së drejtës
është ndërtimi i modelit të gabuar politik në kurriz të atij të duhurit. Problemi fillon që
në momentin e konceptimit të të qënurit politikan, që nga qëllimi i qasjes në politikë.
Një hipokrizi e madhe në formën e një komedie devotshmërie me akte të pafund luhet
ndaj spektatorëve-zgjedhës. Shprehja tashme e mërzitshme “do t’i qëndroj besnik
elektoratit tim” ka fituar veti avulluese sidomos kur në lojë qëndron ndonjë tender, leje
ndërtimi apo konçesion.

Ne kemi dështuar të prodhojmë modelin e politikanit komunitar i cili është njëherazi
mbrojtës dhe ruajtës i interesave të komunitetit. Në një vend si ky i yni ku e drejta për të
qenë në të drejtën kullon infeksion, shfaqja e modelit të politikanit të virtytshëm e
vizionar është e mundur vetëm në disa katalogje apo ilustrime të historisë politike. Ajo
që vërtet mungon është fryma apo koncepti i drejtë për të mirë administruar vendin dhe
vendasit.

Problemi fillon që tek qasja fillestare, që në momentin kur posti kërkohet dhe kthehet
në qëllim në vetvehte, kur ai projektohet në mendje si rruga më lehtë për të arritur shumë gjëra që në një pozicion normal do të ishte e vështirë, në momentin kur modeli i
lidershipit luhatet midis postulatit “ të bëjmë para dhe ndonjëherë të qeverisim” apo “të
qeverisim e ndonjeherë të bëjmë para”.

Mirëpo, në një shoqëri ekstremisht materialiste në arratisje të kodit të trashëgimisë dhe
edukatës së virtytit po ashtu bojkotuese e religjionit i cili e fokuson njeriun në
dimensionin e përdybotshëm dhe në dimensionin e përgjegjësisë së krijesës në raport
me krijuesin e për rrjedhojë edhe ndaj krijesave të tjera, afishimi i modelit të
udheheqësit-hero vetësakrifikues, ndëshkues i vesit dhe instalues i së drejtës së
përbashkët, ngelet utopi.

Prandaj çdo i ri apo e re aspirante apo aktiviste në real politikën e sotme ka vetëm një
rrugë, atë të liderit të saj. Në këtë mënyrë prurjet e reja që përbëjnë edhe shpresën për
ndryshime pozitive bëhen pjesë e sistemit korruptiv që të ofron pushteti duke rënduar
dhe ndryshkur më tepër ingranazhin e ciflosur të bërjes politikë.

Sot kemi liderë të maxhorancës dhe opozitës që në funksion të pushtetit, i cili është
kthyer fe në vetvehte me profetë të rrejshëm, përdorin mekanizma të cilat në
përfundim rezultojnë me kosto të paparashikuara për zgjedhësit. Ajo që rëndon edhe
më shumë situatën është hipnoza që këta lider ushtrojnë ndaj zgjedhësve duke dëmtuar
kriterin e vlerësimit. Kësisoj zgjedhësi nga induktues i të zgjedhurve si proçes normal
përfaqësimi, transformohet në subjekt induktimi nga të zgjedhurit dhe në vend që të
ushtrojë presion për përmirësimin e modelit të udhëheqjes, merr modelin e deformuar
të liderit dhe e projekton në ndërgjegjen e vet duke ia transmetuar brezave. Kështu,
fataliteti merr përmasa serioze.

Praktikisht sot si majtas apo djathtas, si lart apo poshtë nuk të ofrohet asnjë model
lideri apo qeverisjeje që qëndron i emancipuar nga anomalitë dhe deformimet. Prandaj
ajo që merr trajta imediate dhe prioritare në këto kohë është restaurimi i një shoqërie
të virtytshme e për pasojë dhe i lidershipit të virtytshëm ngase i zgjedhuri është formë e
koncentruar shprehjeje e zgjedhësve.

Për këtë duhet hapur një debat i gjërë rreth së pari, konceptit mbi virtytshmërinë dhe
pastaj metodave për restaurimin e saj në shoqëri, ndryshe nuk do të jemi në gjëndje të
përmirësojmë në thelb qeverisjen dhe modelin e saj. Do të rendim si përherë drejt
përzgjedhjes së modeleve më pak të këqija të mundshme të cilat me kohë
transformohen në më të këqinjtë, të cilët zgjedhin më pak të këqinjtë në mesin e tyre
për t’u transformuar në të keqen më të madhe e cila do të duhej të zëvendësohej me të
keqen më të vogël të mundshme të radhës.