Vijon shpërndarja e materialeve zgjedhore nëpër Qendra Votimi, OSBE/ODIHR monitoron procesin

Elbasani është qyteti i parë në të cilin ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit për zgjedhjet e 30 qershorit. Materialet po tërhiqen nga kryetaret e Njësisë Administrative të shoqëruar nga punonjësit e policisë.

Për të ndjekur procesin e ndarjes së materialeve zgjedhore, të pranishëm ishin dhe përfaqësues të të OSBE /ODIHR në Elbasan.

Raportohet se edhe në Qarkun Korçë janë shpërndarë bazat e materialeve zgjedhore nëpër qendrat e votimit.

Edhe në qendrat e votimit në Qarkun e Fierit janë shpërndarë materialet zgjedhore, shkruan ATA.

“Shpërndarja e materialeve zgjedhore ka filluar që në orën 10:00. Nuk ka pasur asnjë problematikë. Presim të vijnë edhe tre njësi të tjera dhe shpresojmë se deri pasdite do kemi përfunduar shpërndarjen e bazës materiale në të gjithë Fierin”, tha kreu i KZAZ-së Nr 58, Niko Neco.

Shpërndarja e materialeve ka vijuar edhe në qytetin Shkodrës në disa prej qendrave të votimit.

Edhe në kryeqytet, gjatë ditës së sotme ka vijuar procesi për shpërndarjen e materialeve zgjedhore më qendrat e votimit. Edhe në këto qendra, procesi është monitoruar edhe nga përfaqësues të OSBE-ODIHR .

Rreth 7326 efektivë të policisë do të jenë në krye të detyrës për procesin zgjedhor të ditës së diel në të gjithë Shqipërinë.